Korçë, ekzekutohet një narkotrafikant
Gjendet i vrarë me katër plumba një 24-vjeçar i sapoliruar nga burgu në Greqi .Qetësia pas festës është prishur në Korçë nga një krim i rëndë. Një vrasje e tipit mafioz ka shënuar edhe ngjarjen e parë të rëndë për këtë vit kur një 24-vjeçar është gjetur i hedhur në rrugë i ekzekutuar me armë zjarri. Një plumb në kokë dhe tre të tjerë në trupin i kanë marrë jetën 24-vjeçarit Pëllumb Çollaku nga qyteti i Korçës. Ai është gjetur i vdekur në rrugën e Voskopojës, i hedhur buzë rrugës, në afërsi të fshatit Voskop. Viktima është identifikuar menjëherë nga ana e policisë, pasi prej disa ditësh ai kërkohej si person i zhdukur. Kanë qenë disa kalimtarë të rastit të parët që kanë vënë re një kufomë të hedhur në rrugë dhe më pas kanë sinjalizuar policinë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes në orën 11:30 të ditës së shtunë, për të kryer edhe veprimet hetimore ndërsa ka rrethuar në një rreze të afërt zonën ku është gjetur trupi. Ekspertët që këqyrën vendin e ngjarjes dhe kufomën thanë se 24-vjeçari është vrarë me një plumb në kokë, ndërkohë që sipas të dhënave të policisë në trup ka pasur dëmtime të tjera dhe plagë të shkaktuara me armë zjarri të tipit pistoletë. Pëllumb Çollaku ishte shpallur i humbur nga familjarët më datë 26 dhjetor me një denoncim në Komisariatin e Policisë së Korçës. Një javë pas këtij denoncimi ai është gjetur i vrarë në anë të rrugës pranë fshatit të tij të origjinës, Voskop. Viktima kishte pak kohë që ishte vendosur me banim në qytetin e Korçës, pasi ishte kthyer nga emigrimi në Greqi. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se viktima është vrarë shumë afër vendit ku u gjet, megjithatë edhe pse është rrethuar zona ku mendohet se ka ndodhur krimi, për shkak të dëborës policia nuk ka mundur të gjejë gëzhoja, ndërsa një plumb i vetëm është gjetur gjatë ekspertizës mjekoligjore në kokën e 24-vjeçarit. Policia dyshon se viktima është hedhur atje pasi është vrarë më parë në afërsi të rrugës. Për shkak të reshjeve ka qenë e vështirë të identifikohet me çfarë mjeti është transportuar deri në vendin e ngjarjes 24-vjeçari, pasi gjurmët janë mbuluar. Sipas policisë, Pëllumb Çollaku ka qenë emigrant në Greqi, por është dënuar nga ana e drejtësisë greke për trafik lëndësh narkotike dhe pasi ka dalë nga burgu është kthyer në Shqipëri dhe është vendosur në qytetin e Korçës. Policia dyshon se viktima është vrarë për pazare droge dhe larje hesapesh. Hetimet e policisë mbi pistën lidhen me të kaluarën e 24-vjeçarit që ishte kapur me një ngarkesë me lëndë narkotike në shtetin grek ku dhe ishte dënuar për trafik narkotikësh. Fakti se 24-vjeçari është lënë i lirë nga ana e palës greke, është një tjetër motiv që mund të jetë bërë shkak për vrasjen e 24-vjeçarit, i cili nga ana e tij mund t‘i ketë rrëfyer policisë së shtetit fqinj lidhjet në trafikun e drogës, gjë që është bërë më pas edhe shkaku kryesor për larjen e hesapeve. Nga ana e policisë që ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, bëhet e ditur se i riu kërkohej nga disa persona pas ardhjes në Korçë. Sipas policisë, viktima është vrarë pasi mund të jetë rrëmbyer nga autorët, të cilët e kanë çuar në zonën e Voskopit, ku dhe e kanë vrarë me armë zjarri. Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar disa persona me të cilët ai kishte lidhje shoqërore. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se pista kryesore e hetimit është ajo për larje hesapesh, që lidhen me aktivitetin e tij të mëparshëm në trafikimin e lëndëve narkotike. Ai është larguar nga banesa pak kohë pasi kishte ardhur nga Greqia, ndërkohë që familjarët e kanë deklaruar të zhdukur vetëm kur Çollaku kishte disa ditë që nuk bëhej i gjallë. Edhe pse ka qenë në kërkim nga ana e policisë, 24-vjeçari nuk është gjetur deri ditën kur disa kalimtarë të rastit kanë parë kufomën e tij të hedhur në rrugë dhe kanë sinjalizuar policinë lokale. Hetimet janë përqendruar vetëm në pistën e vrasjes për larje hesapesh, ndërkohë që provat janë të pakta.
Gazeta Shqip
Popularity: 32% [?]




Shprehni opinionin tuaj!