OSBE/ODIHR: Votimi me probleme. NATO: Nuk u arritën standardet
TIRANË- Në raportin e tyre të parë për zgjedhjet në Shqipëri, vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë vlerësuar progres të prekshëm sa i përket kuadrit ligjor që u miratua nga dy partitë politike kryesore, por kanë evidentuar disa probleme. Që nga hapja me vonesë e qendrave të votimit, mungesa e bojës dhe votimi familjar. Ndërkohë që NATO ka deklaruar se nuk janë arritur standardet.
Përfaqësuesi i OSBE-së, Wolfang Grossruck, tha se “dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe paqësore pa incidente madhore. Në përgjithësi vëzhguesit e vlerësuan procesin pozitiv në shumicën e qendrave të votimit ku shkuan. Megjithatë konstatuan shkelje procedurale, si ai i bojës, votimin familjar dhe hapjen me vonesë të qendrave të votimit”- tha ai në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. Sipas raportit, mbyllja e qendrave të votimit dhe marrja e materialeve nga to, në QNV u vlerësuan pozitive.
“Është ende herët për të dhënë një vlerësim përfundimtar, pasi numërimi dhe nxjerrja e rezultateve, kyçe për procesin zgjedhor janë në proces e sipër. Vlerësimi përfundimtar do të varet nga niveli i fazave të tjera që kanë mbetur, faza që ne po i vëzhgojmë me kujdes”- theksoi ai.
Ai ka deklaruar më tej se në votimet e kesaj radhe nuk ndodhën problemet për të cilat komuniteti nderkombëtar frikësohej dhe vendi po ecën në rrugën e duhur.
“Shqipëria është maturuar, ka bërë progres të dukshëm, disa nga frikërat nuk u bënë realitet, por ka një sërë çështjesh që duhen trajtuar. Megjithatë duhet të themi se Shqipëria është në udhën e duhur. Për këtë rekomandoj që ju ta lexoni vetë deklaratën me kujdes. Duke pasur parasysh dhunën e së kaluarës disa nga gjërat që ne u jemi referuar mund të jenë të vogla për ju, por nuk janë të tilla. Çështjet që kemi nxjerrë, qofshin madhore apo jo, duhet që qeveria dhe politikanët t’i zgjidhin, që të ketë progres të mëtejshëm”.- tha më tej ai, duke lexuar raportin.
NATO: Zgjedhjet nuk arritën standardet
“Shqipëria ka shënuar arritje, por ka ende shumë punë për të bërë”. Kështu është shprehur sot kryetari i Asamblesë parlamentare të NATO-s, Bruce George, gjatë prezantimit të raportit të parë për zgjedhjet në vendin tonë. Ai ka kërkuar që raporti të shihet si këshillues, ndaj paraqiti edhe disa rekomandime që Shqipërisë mund t’i shërbejnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sipas tij, që nga viti 1991 janë bërë reforma të mëdha, por demokracia është në konsolidim e sipër, duke numëruar se vendi ka shumë punë për të arritur standarded e BE-së, qeverisjen demokratike, reformat në gjyqësor, profesionalizmin e mediave, vendosjen e shtetit të së drejtës, të qeverive vendore dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ai theksoi me tej se Shqipëria nuk i arriti standardet e kërkuara në 28 qershor, por gjithçka do të varet nga drejtuesit e saj për t’i arritur ato në zgjedhjet e ardhshme.
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!