Zgjedhjet i lënë gjimnazistët pa dëftesat e notave
Ky dokument nuk është shpërndarë ende në shkolla për nxënësit
Nxënësit e gjimnazeve të kryeqytetit, ndonëse tashmë kanë nisur pushimet verore, nuk e kanë marrë ende dëftesën e notave. Kjo për faktin e thjeshtë se dëftesa nuk ka. Ky dokument që vërteton jo vetëm rezultatin e nxënësve, por edhe kalueshmërinë e tyre nga njëra klasë në tjetrën, nuk është bërë gati ende. Ndërsa, mësuesit, në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit, janë në pritje të dëftesave, për të plotësuar në to notat e nxënësve dhe për të nisur edhe ata pushimet e verës. “Shkojmë çdo ditë në shkollë dhe rrimë e presim se mos vijnë dëftesat, ndërkohë që prindërit e nxënësve na pyesin vazhdimisht dhe ne nuk dimë më se çfarë përgjigjeje t‘u kthejmë”, shprehet një mësuese në një nga shkollat e mesme në kryeqytet.
Por duket se procesi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend nuk ka lënë pa prekur edhe ata që ende nuk kanë të drejtë vote për shkak të moshës, nxënësit e gjimnazeve. E gjithë vëmendja, e përqendruar në fushatën elektorale dhe tashmë në numërimin e votave, po mban peng edhe pajisjen e të rinjve me dëftesat e tyre.
Ndërkohë që, askush nuk mund të japë një përgjigje zyrtare se kur do të jetë dita e pajisjes me dëftesa të shkollave të mesme të Tiranës. Kjo për faktin se gjendja e stanjacionit të këtyre ditëve postzgjedhore, duket se ka futur në ngërç edhe strukturat drejtuese arsimore. Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit konfirmojnë faktin se shpërndarja e dëftesave është kompetencë e drejtorisë arsimore.
Nga ana e tyre, drejtorë gjimnazesh në Tiranë garantojnë se shpërndarja e dëftesave të notave është çështje ditësh, “sa të kalojë kjo situatë e zgjedhjeve”.
Aktualisht, është në vijim e sipër edhe procesi i Maturës Shtetërore 2009, sipas parimit meritë-preferencë. Dy provimet e fundit të maturantëve, ato të lëndëve me zgjedhje, konsiderohen edhe si më të rëndësishmit. Kjo pasi këto testime do të luajnë një rol vendimtar në pikët që do të grumbullohen për garën në universitetet publike në vend. Provimet e lëndëve me zgjedhje do të mbahen në të njëjtën ditë në të gjithë vendin, e pikërisht më 10 korrik. Ndërkohë që më 3 korrik pritet që të fillojë edhe procesi i KOEPS-it, ose i izolimit të profesorëve që do të hartojnë tezat finale mbi bazë të fondit të pyetjeve të grumbulluar paraprakisht dhe profilit të shkollave që kanë frekuentuar të rinjtë.
Vonesa
Peng i procesit elektoral
edhe dalja e Formularit A2
Përveç dëftesave të notave të gjimnazistëve, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare po mbajnë peng edhe daljen e Formularit A2. Kjo, pasi Këshilli i Ministrave, duhet të kishte miratuar kuotat e pranimit në institucionet e arsimit të lartë në vend, në mënyrë që të rinjtë të mund të përzgjedhin saktë degët e tyre të studimit. Kjo zgjedhje e tyre, përveç preferencave, sipas specialistëve, duhet të mbështetet edhe në aftësitë reale që ata kanë. Nga ana tjetër formulimi i këtij Formulari A2 sërish nuk mund të kryhet pa pasur paraprakisht edhe degët e reja të studimit që ofrohen këtë vit nga universitetet publike. Ndonëse, mund të bëhet fjalë për një numër të kufizuar të tyre, sërish përcaktimi i të gjitha degëve të disponueshme për të rinjtë në Formularin A2 është detyrim ligjor i patjetërsueshëm. (Gazeta Shqip)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!