Kredia pa interes, jepen 3.3 mln euro para votimeve
Ministria e Bujqësisë shpërndau paratë përpara një jave, në mes të fushatës elektorale
Edhe sektori i bujqësisë u përdor nga qeveria për të arritur fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Ashtu si veproi me legalizimet, të pastrehët, sigurimet dhe ish-pronarët, Kryeministri përmes ministrit të Bujqësisë përdori një skemë efikase për të rritur elektoralin. Brenda dy javëve, janë ndarë rreth 3.3 milionë dollarë kredi për 43 subjekte që kishin aplikuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit. E gjithë procedura e verifikimit të dokumenteve zgjati dy javë, pra më pak sesa aplikimi në bankë kur merr kredi. Pas udhëzimit të përbashkët të ministrit të Financave dhe atij të Bujqësisë, ku jepet sqarime rreth procedurave që do të ndiqen për shpërndarjen e fondit, aplikimet janë dorëzuar deri më 15 maj, ndërsa brenda datës 30 maj, përfunduan të gjitha vlerësimet e kërkesave. “Pranë zyrave tona paraqitën aplikimet për kredi 54 subjekte, ndërsa fitues në bazë të vlerësimeve me pikë, u shpallën 43, ku numri më i madh u përkiste linjave frigoriferike. Çdo veprim ka qenë transparent dhe konform udhëzimit të dy ministrave, Financës dhe Bujqësisë”, tha për “Shqip” Ferdi Brahushi, drejtori i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural-AZHBR. Fondi 3.3 milionë dollarë u krijua nga mbledhja e parave të ndara vite më parë nga Projekti Japonez, nga ku dolën disa shkelje. Qeveria ua mblodhi fermerëve këto para, për t‘i rishpërndarë sipas procedurave të reja, në funksion të tri shtyllave kryesore për sektorin bujqësor. Fondi do t‘u jepet subjekteve që kanë interes të ngrenë linja të përpunimit të qumështit, fruta-perimeve dhe linjave frigoriferike.
Kredia
Janë 43 subjekte që kanë përfituar kredi pa interes nga qeveria, vetëm dy javë para zgjedhjeve, me një mesatare prej 80 mijë dollarësh. Ministria e Bujqësisë thotë se procesi i shpërndarjes së parave për ngritjen e linjave në tre sektorë, ka përfunduar një javë më parë, ndërsa faza e ndarjes nisi në fillim të qershorit. Afati i shlyerjes së kredisë është 7 vjet, ndërsa pagesa e kësteve nis pas një viti. Ministria ka llogaritur 2-3 këste në vit që duhet të paguajë subjekti, ndërsa do t‘i jepet në vitin e parë vetëm 30 për qind e vlerës së investimit. Më 20 dhjetor 2009, AZHBR do të nisë verifikimet në terren, për të parë ecurinë e projektit, nëse kredia ka shkuar për qëllimin e kërkuar. Në rast se këstet nuk paguhen në kohë, ministria ka parashikuar sanksionet, e cila është 5 për qind mbi shumën e papaguar. Kur janë dy këste të papaguara, atëherë Ministria e Bujqësisë së bashku me organet tatimore bllokojnë aktivitetin.
Kriteret
Masa e kredisë është dhënë në varësi të investimit, por jo më shumë se 50 mijë dollarë për dhomat frigoriferike, 100 mijë dollarë për blerjen e instalim linjash të përpunimit të qumështit, si dhe 150 mijë dollarë për linjat e përpunimit të fruta-perimeve. Drejtori i AZHBR-së, Brahushi, tha se ka pasur interes të madh për të tre sektorët e investimit, por fitues më shumë ka pasur nga linja e dhomave frigoriferike.
Kushti kryesor që të merrje kredi nga Ministria e Bujqësisë ishte paraqitja e plan-biznesit trevjeçar, si dhe vërtetimin nëse ka apo jo detyrimet ndaj tatim-taksave. Tjetër kriter ishte që subjekti nuk duhet të kishte kredi të marrë në ndonjë bankë, duhet të dorëzonte një bilanc financiar, aftësitë ekonomike, plan-marketingun, studimin e tregut, vendndodhjen e investimit, si dhe pronësinë e tokës. Në rast se prona është marrë me qira, afati duhet të jetë të paktën 10 vjet, verifikuar me noter etj. Të gjitha këto shpenzime janë paguar nga aplikuesi për kredi, përfshi dhe gjyqet. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, përmes drejtorit të saj qartëson se, çdo aplikant ka paraqitur të hipotekuar pasurinë e patundshme, e barasvlershme me 100 për qind të vlerës së kredisë.(SHQIP)
Popularity: unranked [?]




Shprehni opinionin tuaj!