Qeveria rrit me 8.7% sigurimet shoqërore
Me një dorë jep, me tjetrën merr! Vetëm një muaj më parë, qeveria premtoi se do të ulte masën e kontributit të sigurimeve shoqërore me 5 për qind për të gjithë të punësuarit, si ndihmesë në kohë krize. Që nga 1 maji, sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, u ulën nga 32.9 për qind, në 27.6 për qind. Gati gjysma e të punësuarve dhe të vetëpunësuarve në sektorin privat jobujqësor, ku përfshihen industria, fabrikat e këpucëve apo bizneset e vogla, duhej të përfitonin nga kjo ulje taksash. Por dy ditë më parë, ndërsa vendi është nën ethet e fushatës elektorale, qeveria miratoi një vendim tjetër, me të cilin, qeveria tërhoqi mbrapsht më shumë se gjysmën e uljes që pati bërë, pasi rriti pagën minimale dhe maksimale për efekt të sigurimeve me 8.7 për qind. Vendimi i intereson disa qindra mijëra shqiptarëve që kanë paga të ulëta si dhe atyre pak shqiptarëve që kanë paga të larta. Kështu, shqiptarët me paga të ulëta paguanin vitin e kaluar 32.9 për qind të 14830 lekëve ose 4880 lekë për fondin e pensioneve dhe atë të kujdesit shëndetësor. Me vendimin e ri, do të paguajnë 27.6 për qind të 16120 lekëve ose 4500 lekë, me një ulje prej më pak se 400 lekë. Nëse vendimi i dy ditëve më parë nuk do të merrej, atëherë ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore do të ishte 741 lekë. Për ata që kanë paga mbi 80600 lekë, ulja e sigurimeve shoqërore u tkurr nga 4 mijë lekë, sa ishte premtuar në maj, në vetëm 2 mijë lekë.
Të vetëpunësuarit
Me vendimin e ri, qeveria ka ulur në mënyrë teorike pagesën e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në profesione të ndryshme, si hidraulikë, ustallarë etj. me 100 lekë. Janë rreth 100 mijë vetë që zotërojnë një aktivitet ekonomik familjar dhe klasifikohen si të vetëpunësuar. Kjo kategori nuk preket nga vendimi i djeshëm për shkak se paguan sigurime mbi pagat referencë.
Sigurimet, vetëm rritje
Ndonëse teorikisht kontributi për sigurime shoqërore është ulur ndjeshëm gjatë qeverisë së sotme, në praktikë, të punësuarve u është kërkuar gjithnjë e më shumë taksa. Kështu, çdo masë e qeverisë për uljen në përqindje të kontributit, është shoqëruar me praktika të taksimit afrofe të të njëjtit numër të punësuarish. Të ardhurat e sigurimeve shoqërore janë rritur ndjeshëm me mbi 10 për qind nga viti në vit, por numri i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore ka njohur një rritje të papërfillshme. Të vetëpunësuarit kanë edhe një problem tjetër. Ata detyrohen të vijojnë të paguajnë sigurime shoqërore edhe nëse e kanë mbushur moshën e pensionit, pra nuk u njihet statusi i pensionistit që ka një aktivitet të vogël tregtar apo prodhues.
Një investim me humbje
Sigurimet shoqërore në Shqipëri, edhe në kushtet kur paguhen mbi pagën minimale, janë një investim me humbje për kontribuuesin. Sigurimet për pension nuk konsiderohen taksë në asnjë vend të botës, por konsiderohen kursim i detyrueshëm. Pensioni i premtuar nuk mbulon as gjysmën e kontributeve dhe interesave që do të përfitoheshin në kushte normale. Kështu, nëse paguan sigurim pensional minimal prej 3482 lekësh për 35 vjet dhe me normë interesi minimal prej 5 përqindësh, kur të dalësh në pension do të kesh dhënë në total 7.4 milionë lekë, në një kohë që pensioni i premtuar për sigurime minimale prej 112 mijë lekësh dhe që përfitohet për mesatarisht dhjetë vjet, nuk të kthen mbrapsht as gjysmën e kontributit.
Por ata që sigurohen për pagë maksimale, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse paguajnë pensionet e dy-tre njerëzve, ndërsa u premtohet se do të tërheqin një shumë minimale të asaj që kanë kontribuar kur të dalin në pension.
Alternativë në kompanitë private
Shumë kompani në Shqipëri, veçanërisht banka, kanë ngritur skema paralele kursimi pleqërie për të punësuarit e tyre, që premtojnë përfitime shumë më joshëse sesa ajo e shtetit. Kompanitë me një numër të konsiderueshëm punonjësish, kanë mundësinë të mbledhin një kursim mujor prej tyre, zakonisht 5 apo 10 mijë lekë, dhe t‘i investojnë të gjitha në bono thesari dhe obligacione të qeverisë. Punonjësit që marrin pjesë në këto skema, kanë të drejtë t‘i tërheqin kursimet e tyre plus interesat pas një periudhe të caktuar, ose të gjitha së bashku, ose me këste deri sa të përfundojnë. Skema të tilla ofrojnë 20 mijë lekë në muaj për shtatëmbëdhjetë vjet pas një kontributi të rregullt prej 5 mijë lekësh në muaj për 15 vjet. Baza e kësaj skeme konsiston në investimin e kursimeve përkundrejt një interesi 4-6 për qind. Por edhe në këtë rast, rreziqet nuk eliminohen. Pjesëmarrësit në skema të tilla rrezikojnë të humbasin kursimet në rast se leku shqiptar zhvlerësohet nga ndonjë krizë financiare. Megjithatë, ky është një rrezik i njëjtë edhe për kontribuuesit në skemën shtetërore.(Shqip)
Popularity: unranked [?]




Shprehni opinionin tuaj!