Tkurren eksportet e tekstileve dhe metaleve
Në total Shqipëria ka eksportuar 176 milionë euro mallra, ose 15 për qind më pak se vitin e kaluar. Në tre muajt e parë të 2009-ës, eksportet e tekstileve ranë më 8%, ndërsa ato të metaleve me 54%. Industria tekstile ka vuajtur ndjeshëm pasojat e krizës botërore, duke humbur treg gjatë tre muajve të parë të vitit 2009. Banka e Shqipërisë raporton se eksportet nga industria e tekstileve dhe e këpucëve ranë me 8%.
Eksportet e industrisë së fasonëve vazhdojnë të renditen të parat duke siguruar rreth 54% të të ardhurave të përgjithshme nga eksportet. Gjatë tremujorit të parë të vitit është regjistruar gjithashtu rënie e ndjeshme në vlerën e eksporteve të metaleve.
Gjatë kësaj periudhe, këto eksporte kanë rënë me 54%, gjë që ka bërë që eksporti i përgjithshëm nga prodhimi i brendshëm të bjerë me rreth 23%.
Ndërkohë kjo është reflektuar edhe në shkëmbimet tregtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto shëmbime pësuan një rënie prej 8 për qind, duke arritur në 869 milionë euro.
Eksportet kanë pësuar rënien më të madhe vjetore me 15%. Në tre muajt e parë të këtij viti ne kemi eksportuar rreth 176 milionë euro, ndërsa importet arritën në 692 milionë, ose 6% më pak se një vit më parë.
Edhe deficiti tregtar ka pësuar rënie, për shkak të uljes së importeve dhe eksporteve gjatë kësaj periudhe. Deficiti tregtar u tkurr me rreth 11 milionë euro duke arritur në 516 milionë euro.
“Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ra në nivelin 25% nga 28% një vit më parë.”,- thuhet në njoftimin zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Importet e lëndëve djegëse dhe mallrave ushqimore kanë përjetuar rënien më të madhe në muajt e parë të 2009-ës. Kështu pagesat për importet e mallrave ushqimore kanë rënë me 15% ndërsa ato për lëndë djegëse me 30%.
Ndërkohë, që BSH raporton se janë rritur vlerat e importeve të makinerive dhe pajisjeve me 4% dhe të produkteve kimike 19%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto grupe mallrash zunë rreth 63% të vlerës së përgjithshme të importeve.
Shërbimet
Rënie kanë pësuar edhe shkëmbimet tregtare të shërbimeve. Në total për periudhën janar-mars, shkëmbimet në shërbime arritën në 633 milionë euro, me një rënie vjetore prej 10%.
“Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 70% dhe 67%. Bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një deficit prej rreth 10 milionë eurosh. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 212 milionë euro ose 4% më pak se sa në vitin 2008″,- thuhet në njoftimin e BSH-së.
Sipas saj, rënia e të ardhurave gjatë këtij tremujori është kryesisht pasojë e rënies së lehtë të shpenzimeve mesatare ditore të jorezidentëve vizitorë. Ndërkohë, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 220 milionë euro ose 4% më tepër se një vit më parë.
Në këtë rritje, Banka vlerëson se ka ndikuar rritja e shpenzimeve mesatare ditore, dhe një rritje e lehtë në kohëzgjatjen e qëndrimit, edhe pse numri i udhëtarëve shqiptarë ka shënuar rënie ndaj tremujorit të parë të vitit të kaluar. (Shekulli)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!