Angelo Amoroso d‘Aragona: Ju rrëfej pamjet rrëqethëse të eksodit shqiptar
Pamje rrëqethëse nga dyndja e refugjatëve shqiptarë në brigjet italiane vijnë në një dokumentar kushtuar eksodit shqiptar të 1991-shit.Ai ishte dëshmitar i eksodit shqiptar në brigjet e Italisë. Pikërisht në Bari, ku në 1991-shin mijëra shqiptarë kaluan detin në kërkim të ëndrrës së madhe. Regjisori italian, Angelo Amoroso d‘Aragona, ka filmuar gjithçka. Vargun e gjatë të ambulancave që rendnin drejt portit, autobusët e linjës që mbusheshin e pastaj shkarkoheshin në Stadiumin e Fitores në Bari. Pikërisht brenda atij rrethimi ai do të shkonte me ditë të tëra. Me një telekamer në dorë do të fiksonte gjithçka që mundej. E krahason me një ferr. Kujton edhe sot si pamje rrëqethëse mijëra shqiptarë, shumica vetëm me rroba banjo, të stërmunduar nga udhëtimi i gjatë dhe dielli përvëlues i gushtit, që buzëqeshnin në shenjë të fitores. Kujton edhe një djalë 8-vjeçar, në sytë e të cilit lexohej frika për dhunimin e të ëmës, brenda atij rrethimi ku zotëronin më të fortët. Policia italiane kujdesej vetëm që askush të mos ia mbathte. Të gjitha këto pamje, të bashkangjitura me dëshmitë që regjisori u ka marrë në ditët e sotme dëshmitarëve të atyre ditëve, do të jenë pjesë e një dokumentari për eksodin shqiptar. Ka menduar ta quajë “Stadiumi i Fitores”. Për ironi të fatit që i ndoqi këta mijëra shqiptarë. Regjisori D‘Aragosta e sheh me sy kritik përballimin e situatës nga qeveria italiane. Riatdhesimin e tyre e konsideron pjesë të një mashtrimi, të lindur nga parapërgatitja e atyre që jetonin me hijen e mureve të regjimeve. Pritet që dokumentari të përfundojë muajt e parë të këtij viti, ndërsa regjisori rrëfen një eksperiencë të pazakontë që ka përjetuar në ditët e ndërrimit të historisë për shqiptarët.
Ju po realizoni një dokumentar mbi eksodin shqiptar të vitit 1991? Si lindi ideja?
Unë u skandalizova nga gjithçka që ndodhte brenda Stadiumit të Fitores në Bari. Isha skandalizuar nga vetë ideja për të mbyllur brenda mijëra vetë, që për më tepër ishin të rraskapitur nga një udhëtim terrorizues dhe nga dielli përvëlues i gushtit. Asnjëherë nuk më është fashitur ideja për ta treguar këtë histori dhe sapo më erdhi rasti, e bëra.
E keni përjetuar nga afër gjithë atë episod?
Po. Çdo ditë me telekamerën në dorë hyja brenda stadiumit. Gruaja ime dhe një djalë që luante rolin e asistentit më shoqëronin. Çdo ditë filmoja gjithçka që mundesha, deri sa bateritë mbaroheshin. Pastaj kthehesha në shtëpi për t‘i karikuar dhe filloja sërish të nesërmen. Kështu bëra deri në fund. Pamjet e fundit që kam nuk janë më shqiptarët, por televizionet që çmontonin dhe RAI, i vendosur në një pikë të molit të portit, që transmetonte lajmet e fundit mbi nisjen e atyre që u quajtën “gli irriducibili”. Ishin rreth 3000 shqiptarë që rezistuan dhe morën nga qeveria italiane soxhorno të përkohshme. Të gjithë u nisën duke qeshur nga Bari. Por vetëm dy ditë më pas u riatdhesuan pas një aksioni blitz në orën 05:00 të mëngjesit. Ishin mashtruar. Edhe për këtë dua të flas në dokumentarin tim.
A mund t‘i përshkruani përshtypjet tuaja të para?
Përshtypja e parë që pata është shumë komplekse për t‘u shpjeguar. Më në fund, bota e ndarë në dy blloqe po binte, por askush nuk dinte çfarë të bënte. Ishim të papërgatitur. Muri ishte rrëzuar dhe historia po vihej në lëvizje. Njëzet mijë refugjatë janë një ngjarje e pabesueshme, një mësymje. Impaktin e parë ma dhanë sirenat e ambulancave që për orë të tëra kalonin poshtë dritares së shtëpisë sime. Kuptoja që kishte ndodhur diçka e rëndë dhe me telekamer fillova të përshkoj atë varg të gjatë dritash e tingujsh shurdhues. Pastaj e gjeta veten duke ndjekur një tjetër varg. Atë të autobusëve të linjës që ishin zhvendosur nga itinerari i tyre i përditshëm dhe ishin dërguar në port për të transportuar me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë në stadium. Dyert e stadiumit hapeshin, shkarkohej ajo “masë” njerëzore, e pastaj ktheheshin bosh në port për të marrë të tjerë. Një spektakël absurd! Dy ditë më pas, kur kishte përfunduar gjullurdia e madhe, jashtë stadiumit ndodhej një djalë 8-vjeçar që më bëri të kuptoj se çfarë nuk shkonte në gjithë këtë ngjarje. Brenda stadiumit ishte Ferri. Ai druhej se nëna e tij do të dhunohej dhe nuk kishte asnjë që të mund ta ndalonte. Policia jonë mjaftohej që të rrethonte e të kontrollonte që askush të mos ia mbathte që aty, por nuk vendoste rregull. Kështu mësova se brenda stadiumit ndodhej një bandë kriminale që e bënte edhe më të padurueshme situatën për refugjatët. Ai djalë më bëri të kuptoja se sjellja e forcave tona të rendit ishte e papranueshme. Nga një anë aty braktiseshin, duke ua çuar ujin dhe ushqimin si kafshë, përmes helikopterëve që i lëshonin nga lart. Nga ana tjetër, kësaj braktisjeje fajtore, i shtohej ushtrimi i forcës për t‘i mbajtur nën kontroll, por jo për të vendosur rregull apo për t‘u imponuar autoritet. Krejtësisht e kundërta me atë çka duhej bërë. Unë isha dakord që përgjigjja ndaj një situate të tillë nuk mund të ishte tjetër veçse riatdhesimi i të gjithëve, por kjo duhej të ndodhte pasi t‘u ishte dhënë ndihma e parë, duke i ndarë në shumë grupe, e më pas duke i kthyer në mënyrë qytetare. Nuk mjafton të thuash që ishim të papërgatitur. Kjo është më se e vërtetë, por është një mospërgatitje që na bën fajtorë. Për vite me radhë ishte jetuar nën hijen e Murit(atij të Berlinit), duke u shtirur sikur po punohej që të binin regjimet komuniste. Tashmë që bota e lirisë e kishte fituar luftën e ftohtë, askush nuk dëshironte të përballej me turmën e të varfërve që bota komuniste e Lindjes na rikthente. Njerëzit me vullnet të mirë ishin edhe më të papërgatitur se qeveritë dhe forcat e mëdha ekonomike që lëviznin nga interesa të thjeshta. Veçanërisht në Itali komunizmi ishte identifikuar si një çështje e drejtë dhe rrëzimi i Murit nuk u festua nga askush, por mbi të gjitha ishte një vuajtje e madhe. Askush nuk donte të mbronte regjimet e ashtuquajtura të “socializmit real”, por rrëzimi i tyre ishte sidoqoftë shenjë e shembjes edhe e disa idealeve. Ato sisteme nuk ishin të korrigjueshme apo të riformatueshme dhe diçka nuk duhej të kishte funksionuar. Rezultati ishte se përballë 20 mijë personave nudo (kjo është pamja më e fortë që më ka mbetur në mendje teksa shihja shumë refugjatë vetëm me nga një kostum banjo), ishim “nudo” edhe ne. Ishim nudo sepse ishim të privuar nga instrumentet e të menduarit dhe të kuptuarit se si duhet të interpretonim emocionet tona. Duhej të ishte festë me përqafime, por në të kundërt, ngadalë lindën pakënaqësitë dhe bezdisjet.
Si titullohet dokumentari?
“Stadiumi i Fitores” (“Lo Stadio della Vittoria”). Është një titull i vjedhur nga redaksia më gjeniale italiane për titujt, ajo e “Il Manifesto”. Me këtë titull ata dolën ditën e tretë apo të katërt kur publikuan intervistën e famshme që i kishin marrë kryebashkiakut të Barit, Enrico Dalfino-s, i cili me të drejtë u distancua nga qeveria dhe e krahasoi atë stadium me një kamp nazist. Të gjithë shqiptarët mbërrinim me duart e ngritura dhe dy gishtat e hapur në shenjë të “Fitores”. Në pak orë buzëqeshjet ishin shuar, duart ishin ulur dhe e kishin gjetur veten të rimbyllur brenda Stadiumit të Fitores. Çfarë fitoreje? Të atyre koloniste ose pseudokoloniste të dëshiruara nga fashizmi, që mes të tjerave i ka edhe Shqipëria.
Kur mendoni se mund ta përfundoni këtë realizim tuajin?
Me siguri që gjatë muajve të parë të 2009-ës dokumentari do të ketë bërë udhëtimin e gjatë e të nevojshëm që duhet të përmbushë. Dua të mbledh ende dëshmi të tjera. Ëndrra ime është që të gjej djalin për të cilin ju tregova më lart. E kam vënë foton e tij edhe në një spot publicitar në një televizion shqiptar, por edhe në YOU TUBE në internet, ku kontaktet rriten gjithnjë e më shumë. Do të shkoj në Nju Jork, Gjermani e pastaj do të kthehem sërish në Shqipëri. Në veçanti do të më pëlqente të dëgjoja edhe dikë nga banda e Gazment Muçës. Ata qenë protagonistët e vërtetë të kësaj ngjarjeje. Të mos mundja t‘ua jepja atyre fjalën, do të ishte një lloj disfate e vogël për mua. Shpresoj që të më ndihmojë edhe Televizioni Publik Shqiptar, që e vlerësoi shumë projektin. Kam nevojë të gjej paratë për të mbaruar dokumentarin. Deri më tani ka qenë thelbësore ndihma e vetë shqiptarëve dëshmitarë. Janë ata që më kanë ftuar shpesh dhe shpresoj që tani të kem një ndihmë edhe nga TIRRENIA.
Bashkë me Nicola Montano-n ju erdhët në Shqipëri pikërisht për këtë dokumentar. Takuat ndonjë dëshmitar?
Takuam njerëz të shkëlqyer, që do të meritonin një dokumentar më vete. Ka familje në Durrës dhe në Bari që i kanë kaluar kufijtë detarë e kanë krijuar një familje të vetme italo-shqiptare. Përveçse intervistuam komandantin e anijes “Vlora”, i cili ato ditë ishte pyetur nga Nicola Montano, takuam edhe Elvisin, një djalë, i cili nga 1991-shi kishte jetuar në Bari në një familje peshkatarësh e sipërmarrësish të vegjël. Për një absurd me çështjet ligjore, Elvisi u riatdhesua pas 17 vjetësh. Në Tiranë ne u ftuam nga dy familjet e tij, ajo shqiptare që tashmë është vendosur në Veri të Italisë dhe familja adoptive e Barit. Një shpërthim ndjenjash, një mallëngjim i madh. Ne niseshim, ndërsa ai mbeti i vetëm në Tiranë, larg nga dy familjet e tij. E filmuam gjithë këtë si dhe tregimet e tyre për ditët e 1991-shit. Një rrëfim i vyer. Dëshmi e një shpirti bujar që një pjesë e qytetit të Barit, ajo më varfra, ishte në gjendje të jepte. Nëse nuk do të kishte qenë për gjeste të tilla të vogla, tensioni në stadium do të kishte shpërthyer e do të rrezikohej një katastrofë. Me Nicola Montano-n dhe Pasquale Monno-n udhëtuam në kërkim të një tjetër familjeje të madhe italo-shqiptare që jetonte mes dy brigjeve, e ndarë dhe e bashkuar në të njëjtën kohë. Janë familje që kanë lindur nga biznesi, por ndjenjat mes tyre janë ato të një komuniteti të madh.
Çfarë doni të përcillni përmes këtij dokumentari mbi refugjatët shqiptarë të vitit 1991?
Që një shtet duhet ta stërvitë autoritetin e tij me rregulla e dinjitet. Nëse nuk e bën këtë, nuk i lë zgjedhje tjetër atij që do të mbijetojë, veçse të bashkohet me më të fortin. Brenda stadiumit ishte banda kriminale “Muça”. Ajo që më mësoi fëmija 8-vjeçar shqiptar ishte se “nëse kthehem brenda stadiumit për të shpëtuar mamanë time kam vetëm një zgjedhje: të bëhem një prej tyre e të blej kështu mbrojtjen”. Kjo u ndodh në të gjithë periferitë e botës të gjithë fëmijëve që mbijetojnë kur shteti braktis fatin e tyre, për mungesë guximi apo dinjiteti.
Me realizime të mëparshme ju keni marrë pjesë në festivale dhe konkurse të ndryshme. Do të ketë të njëjtin fat edhe ky dokumentar?
Shpresoj që në radhë të parë të realizoj një vepër të rindërtimit të historisë. Do të jetë edhe më mirë nëse del një dokumentar i bukur i krijimit autorial. Do të thotë se mund të përcjellë edhe emocione. Uroj të jetë kështu.
Ku do ta prezantoni?
Nuk e di dhe preferoj të mos përgjigjem.
Mund të na tregoni diçka mbi karrierën tuaj si regjisor?
Kam shumë për të bërë. Kam realizuar pak gjëra, por gjithmonë me mirënjohje të mëdha. Do doja të prodhoja edhe më shumë, prandaj e kam quajtur “More Production” sipërmarrjen time. Në 1993 jam shfaqur me dy filma me metrazh të shkurtër, shumë të lidhur me peizazhin puljez, “Stesso Desiderio” e “Frammento Orfico”. Të dy të xhiruar në 16 mm, të cilët kërkohen edhe sot. Kështu ndodhi në festivalin “Era e Kinemasë”, në 2006. Më pas kam realizuar një film me metrazh të shkurtër, “Zoti i shiut” (“Il Dio della Pioggia”) në 35 mm, me të cilin kam marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të Ekspozitës së Artit Kinematografik në Venecia e në vazhdim kam fituar çmimin për regjinë më të mirë në Festivalin e Filmave të Shkurtër në Nju Jork. I xhiruar në 35 mm dhe i ambientuar i gjithi në Napoli dhe Vesuvio, edhe ky film me metrazh të shkurtër tregon interesin tim për mitin klasik dhe kulturën mesdhetare. Ndërkohë, unë i isha përkushtuar kinemasë së vërtetë, duke realizuar një seri videomemoriesh të titulluar “Deti brenda” (“Il Mare Dentro”). Kjo seri pati shumë fat në festivale që i kanë kushtuar sesione të veçanta punës time kërkimore e që u vlerësua me çmimin e parë për seksionin non fiction në “Torino Film Festival” të 1995-ës. Puna për dokumentarin në fjalë është një trashëgimi e këtij udhëtimit tim. Një prek këtyre videomemorieve quhej “La Sponda” dhe ishte montazh i filmimeve të mia përreth Stadiumit të Fitores në gusht të 1991-shit. Ishin vetëm imazhe, rrëqethja e të cilave la një shije biblike. Asnjë shpjegim. Me atë video mora pjesë në “Arcipelago” në Romë, më 1995. Pikërisht atje lindi dëshira për të vazhduar më tej e për t‘u dhënë zë atyre protagonistëve të përvuajtur të pamjeve të mia.
Gazeta Shqip
Popularity: 14% [?]




Shprehni opinionin tuaj!