Drita Pelinku
Regjisori Bujar Alimani në skenën e Teatrit Kombëtar me premierën “Rouz”, nga Martin Sherman. Për herë të parë Drita Pelinku në një monodramë.Në postën elektronike Fondacioni “Saadi Shirazi” përcillte bashkë me foto mesazhin e Rëndësishëm të Liderit Suprem të Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Khamaneni me rastin e masakrimit pas një periudhe të gjatë embargoje në ushqime dhe ilaçe dhe shtetrrethim afatgjatë për popullin e Gazës dhe mbarë Palestinës. Aty bëhet fajtore qeveria e Bushit dhe Amerika shpallet bashkautore në këtë krim të madh.
Po në të njëjtën ditë si në çdo ditë të dhjetorit dhe janarit, në dhomën e miqve Drita Pelinku është bërë Rouz Ruz. Aktorja luan nje personazh të moshës së saj, një hebreje që i ka kapërcyer të tetëdhjetat dhe shosha e kujtesës i ka lënë në rrjetë këto: dashurinë e parë dhe të vërtetë, geton, vaporin “Eksod 1947” që barte një popull pa atdhe nga një port në tjetrin, kthimi në Palestinën që s’ishte më Palestinë por Izrael, dhe vrasja nga i nipi i saj i Nora El Kerimit, një vajze të vogël palestineze në rripin e Gazës, me një plumb që ia ndau më dysh mendimin. Roza e Martin Shermanit ka po atë dëshirë: të vdesë në mes të një mendimi. Jo pa treguar, më parë, se çfarë i ka ndodhur asaj dhe botës qysh në kohët për të cilat nuk e tradhton kujtesa e deri më sot.
Martin Sherman një dramaturg amerikan me rrënjë hebreje – autor i afro 20 veprave për teatër dhe i disa skenarëve artistikë – e vendos këtë grua me emër luleje në një stol ku përtyp ilaçe, akullore me krem dhe figura nga e kaluara.
Monodrama është shkruar më 1999 “me qëllim për të treguar” se çdo të thotë të jesh çifut në shekullin e 20-të. “U rrita si fëmijë i vetëm në një familje emigrantësh ruso-çifutë. Babai im lindi në Rusi, në një provincë, emri i të cilës përmendet në vepër, në Jultiskë. Verërat e para të jetës simei kalova në Piespont Hotel në Atlantik City, i cili ishte pronë e dajove të mij dhe në të cilin punonte gjyshja ime. Gjithë këto detaje karakteristike autobiografike hyjnë në vepër në mikser.
Mund të shohësh gjyshen time, nënën e nënës sime tek Rouz dhe në fytyrën e nënës së saj mund të shohësh gjyshen tjetër, nënën e babait tim. Detaje të tjera janë vendosur nga rrëfimet e njerëzve që takova ose nga imagjinata ime. Veçse ruaj gjithë ato kujtime fëmijërie nga një mënyrë jetese e nga një botë e cila humbi. Kjo do të thotë progres. Ashtu siç është vetë jeta”.
Shermani i beson Rouzës herë rolin e një rrëfyestoreje e “botëse cila humbi” dhe herë atë rol të gruas krijesë e natyrës, e dashur, nënë, motër, me instinkte të gjalla për mbijetesë. “Plot ngjyra” thotë Drita Pelinku pasi ka lënë sofanë e saj dhe flet për kryerolin e saj, sepse është monodramë, në këtë fazë të fundit të karrierës. “Kërkon koncentrim të jashtëzakonshëm.
Të jem ulur, të jem me veten time. Pastaj të harroj kush jam.” Ajo që aktorja e quan punë në tavolinë konsiston në zbërthimin e veprës në përcaktimin e vendit që zë çdo problem. “Jeta s’është vetëm ngarkesë por edhe çlirim nga ngarkesa. E bukura e kësaj vepre është jeta e Rouzës, një pasqyrë e shekullit të 20-të. Kurse e bukura e Rouzës, që nuk është zhveshur nga feminiteti, nga ndjenjat”.
Pastaj shton se “në kushte normale do të ishte një grua mos ta quaj “seksi” por që di ta jetojë jetën. Është një kryerol sepse është larg të gjithë roleve që kam pasur. Kam luajtur personazhe shekspirianë, por monodrama është e tillë që përfshin shumë degë të jetës, ndërsa ky personazh 80 e kusur vjeçe, i përshtatet krejtësisht moshës sime.
Drita Pelinku vazhdon të ketë atë zë karakteristik dhe të folur të qartë, të patrazuar që di të jetë shpërthyes kur duhet të shpërthejë, tronditës kur shqipton “një popull i shqetësuar lind gjithnjë mendje të shqetësuara” dhe therës kur pa të keq, si për të mbledhur kockat nga një lodhje e gjatë, shpjegon ç’është Shiva: të rrish në një stol e të qash të vdekurit.
Ajo mbetet një grua elegante, mendjekthjellët. Po bëhen tre vjet që nuk ka dalë në skenë që nga drama “Streha e të harruarve”. Megjithatë edukata e saj në të punuarit me rolin mbetet e tillë që nuk e kërkon anën emocionale. “E para gjë, thotë ajo, është zbërthimi racional i rolit të cilit nuk mund t’i bashkëngjitet ana emocionale kur nuk e kam të qartë figurën, derisa nga dita në ditë emocioni dhe arsyeja bëhen një.”
Nga ky rol që as e ka imagjinuar t’i vinte një ditë dhe në këtë moshë i vjen vetëm një frikë: mos humbas atë që kam fituar gjatë jetës sime… Prandaj bëj prova përditë. E them që është një provim.”
“Rouz” ka bërë që të këmbehen rolet. Është ish- studenti i sajBujar Alimani që i ka kërkuar të punojnë prapë bashkë. Me “zysh Dritën” ai mbrojti diplomën në Akademinë e Arteve me dramën “Kënga e Mjelmës” e Çehovit. Vitin 1991 e kujton si një kohë kur shumica e studentëve braktisën shkollën, kur binin dhe ngriheshin qeveritë teknike, me probleme energjie, por kanë qenë dy muaj pune të çmendur. “Përvoja me aktorin më ka ndihmuar në kinema”, thotë Bujari autor i disa filmave të shkurtër, në proces për një projekt artistik të gjatë. Tani debuton në teatër.
Prej gati dy muajsh ka ardhur nga Athina në Tiranë për të punuar për këtë monodramë, një produksion “me forcat e veta” që do të ketë premierë më 16 janar në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. “Kam parë shumë teatër në jetën time. Mendova që isha gati, erdhi momenti”.
Regjisori i mëshon idesë Rouz është një kryerol për Drita Pelinkun dhe është e vetmja që mund ta luajë. Nuk do donte që të të plastikonte një aktore tjetër, ta bënte palaço me grim për rolin e një 80-vjeçareje. “Këtë nuk e bëra për respekt ndaj pedagoges sime. E konsideroj punë. Kjo aktore më thotë diçka dhe pikë.”
Në një takim që ka patur me autorin në Athinë, ku i ka shprehur dëshirën për sjellë “Rouz” në gjuhën shqipe, Sherman iu përgjigj që më shumë i interesuar është për ta vënë pjesën në vende të vogla. “Monodrama është një autosarkazëm e jashtëzakonshme. Kjo grua luan me gjërat e saj të dashura si me lodra. Rouz është e vendosur gjithnjë mes një dyshimi edhe pse ajo është e përcaktuar qartë në një kamp”,- thotë regjisori dhe lë të kuptojë se Sherman është nga ata autorë që vendoset në të njëjtin krah me “armiqtë e tij”.
Tek kjo vepër publiku ka për të lexuar një këndvështrim të veçantë edhe të rrënjëve të konfliktit historik Izrael – Palestinë, “më i gjati në historinë moderne”.
Më 16 janar dhe për tre ditë në vazhdim “Rouz” shfaqet për herë të parë në një skenë shqiptare. Projekti është mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Alimani po bashkëpunon për skenografinë dhe kostumet me Klajd Ymerin, ka për as/regjisor Mikel Kalemin. Për ndriçimin vjen nga Athina Nikos Blasopulos.
Gazeta Shekulli
Popularity: 5% [?]




Shprehni opinionin tuaj!