Aktualitet

Lajme dhe Informacione te perditshme mbi Aktualitetin Shqiptar dhe ate Boteror.

Ekonomi

Raporte, publikime, dhe analiza mbi ekonomin dhe arritjet e fundit.

Politike

Permbledhjet e ngjarjeve te fundit politike.

Rajoni dhe Bota

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga rajoni dhe bota.

Sporti

Ngjarjet sportive nga Shqiperia dhe nga mbare bota.

Fillimi » Kultura

Lufta partizane, vlerësimi që po i bën koha sot

Publikuar nga H2O me Saturday, 29 November 2008Nje Koment
Lufta partizane, vlerësimi që po i bën koha sot

29 Nëntor. Në ditën e çlirimit pyesim historianët: Cilën rrugë ndoqi si nxënëse e bindur ushtria partizane? A janë dëshmorë apo janë tradhtarë ata komandantë që kundërshtuan dhe u vranë prapa shpine? A mund të quhet çlirimtare një ushtri që qysh natën e parë i dha popullsisë së kryeqytetit mesazhin e parë të terrorit si mjet qeverisjeje në të ardhmen?

Nuk mjafton as nderimi që njerëzisht u detyrohemi të rënëve, as besimi që ata vetë kishin (në e paçin patur deri në fund.) se po bënin një luftë për atdheun, që të përligjet në pafundësi cilësimi i luftës partizane si nacional-çlirimtare. Çdo ngjarje historike ka anën e saj subjektive, që nuk shqitet lehtë edhe kur ajo objektive e përgënjeshtron. Aq më pak kur kjo objektive vonon të dalë.

Ç’ka qenë realisht ajo luftë? Kush e organizoi? Sa u realizua qëllimi i saj, dhe në ç’raport qëndron ky realizim me aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar? Grupet që duhen marrë si dëshmitare për të formuar një mesatare të besueshme subjektive, para se të dalin në dritë arkivat që vazhdojnë të jenë të mbyllura nga fryma konservative e tranzicionit, janë: Sëpari dëshmorët, që po e marrim se besuan deri në fund që flijimi i tyre i shërbente vendit, lirisë dhe përparimit. Krahas tyre kemi ata luftëtarë më të informuar e syhapët që u zhgënjyen qysh në krye, dhe qysh në krye u eliminuan. Vijnë pas tyre grupi i atyre, pò pjesëmarrës dhe pò të zhgënjyer, por që nuk guxuan ta shfaqnin pakënaqësinë, dhe mbijetuan në heshtje duke u shtirur si të kënaqur… Dhe sëfundi kemi masën e gjerë që nuk mori pjesë direkt në luftë, dhe sipas rastit pastaj u përndoq më shumë o më pak sepse kundërshtoi sadopak rendin që doli nga lufta, ose e vuajti atë në masën që e dallon “mirëqënien” tonë nga ajo e vendeve pritëse të emigrantëve tanë mbas 90-ës.

Nuk vumë në këtë renditje ata që u bënë përkrahës aktivë gjatë periudhës komuniste, të cilët janë dyfarësh: të thjeshtët që duke shërbyer pa fjalë, u graduan dhe përparuan, pra menduan se “është mirë”; dhe inteligjenca, që edhe pse e dinin drejtësinë dhe hakun e ngrënë të tjetrit, hynë në shërbim duke e mbajtur në këmbë regjimin, diktatorin në krye, ata ndihmësa dhe hosanantë. Nëse gjen sot kundërshtarë thirrja për dënimin e krimeve të komunzmit (në luftë dhe në paqe)duhen kërkuar te këto dy kategori. Të parët ndjejnë vërtet mall për atë kohë, krimet nuk kanë të bëjnë fare me ta. Të dytët e kuptojnë se një dënim i komunizmit do t’i përfshinte edhe ata, kështu tentojnë të përdorin kartën e një “lufte të pastër”, së cilës ata i besuan, ndaj u angazhuan më vonë me dëshmira e akuza të kërkuara nga lart, deri tek paraqitja vullnetare e zbukuruar e regjimit, por pastaj, burokratizmi, (jo ata) i paskësh prishur punët. Ose e hedhin peshën më të madhe të fajit tek të përndjekurit, ngaqë “ata kanë dëmtuar njëri-tjetrin” duke mbushur burgjet, ose dhe më në fund, tregohen në favor të hapjes së dosjeve duke shpresuar që shteti është i tyre dhe do t’i kursejë. Kontakti i parë me demokracinë u dha ndijimin se ishin bashkëpërgjegjës për diçka, diçka u peshonte në ndërgjegje. Mirëpo Demokracia, dhe veçanërisht kjo e jona e mbas-komunizmit, tregon një tolerancë të madhe për ta, të pashpresuar në momentin e ndërrimit, dhe fakti që reformat miratohen nën një klasë politike të bartur nga e kaluara, u jep dorë të mbrojnë tezën e luftës “që e çoi Shqipërinë në tryezën e fitimtarëve”, bile të një Enveri historikisht pozitiv, por që iu ngjitën disa të meta më vonë”. E ndjejnë pra veten mirë, por heshtin për heshtjen e tyre (mbylljen e gojës), e cila gjithësesi prodhoka histori objektive (!). Për ta, nacionalistët paskan “vepruar keq që nuk u bashkuan me partizanët”, që të pushkatoheshin prej tyre si u pushkatuan disa të tjerë, partizanë këta dhe të mirë, por që pushkatimi i tyre nuk ecënon pozitivitetin e Enverit përballë historisë…Një tezë pra që fut ujë nga të gjitha anët, dhe që i gjason argumenteve të qehajait bashkëpunëtor në bëmat e padronit, kur padroni është bërë fir. Skena shqiptare ka gjasuar gati gjithmonë me diçka të tillë: një lojë banale pushteti, ku përballë të fortit të momentit, nuk ka asgjë veçse “Lepe peqe”. Sepse individët me vlerë kanë përfunduar në asgjë të ballafaquar me aleancat e të fortit vendas me të huajt, nën komplicitetin pasiv të turmës. Historianët tanë kanë qenë marksistë, dhe prapë pohojnë se Shqipëria me zhvillim zero paska fituar me luftë të pavarur lirinë dhe ka përmbysur feudalizmin(!)

Pyesim: pse u dashka që shqiptarët në fillim të Luftës II Botërore të kishin arritur një shkallë të tillë zhvillimi që të dilnin nga vogëlsia historike aq sa të bënin gjëra tëpaarritshme edhe për kombe më të avancuar? Dhe pse feudalizmi qenka vetëm rend vartësie ekonomike, dhejo edhe psikologjike? Si e kaluara, edhe e sotmja, kjo e ditëve tona, dëshmojnë për të kundërtën. Na vjen në ndihmë në këtë pikë debati i javëve të fundit mbi figurën e Skënderbeut (histori reale apo e shtuar me të pavërteta). Një shikim i thjeshtë në histori na zbulon përçarje para Skënderbeut, gjatë Skënderbeut, dhe shthurje mbas tij. Më vonë dasi fetare, izolim, mercenarizëm, besnikëri e përjetshme dhe shërbime të huajve, humbje të ndërgjegjes së unitetit, shekuj gjumi dhe zvetënimi; zgjim i ngadalshëm pastaj, dhe rilindje e mundimshme e ndjenjës kombëtare, pavarësi e vonuar mbrapa të gjithëve në Ballkan dhe menjëherë e kundërshtuar së brendshmi dhe e kushtëzuar tërësisht prej të huajve, që nuk fshehin përbuzjen. Pse u dashka të jemi përmirësuar me një pavarësi 30-vjeçare aq sa të ndërmarrim veprime të pavaruara, dhe jo të jemi bërë më atraktivë, përkundrazi (për hir të kësaj pavarësie të dobët), për këdo që ka synime mbi ne? Nëse kemi diçka për të çmuar e nderuar, është kontributi i individëve të veçantë që kanë luftuar me të pamundurën për ta shpëtuar nga asimilimi këtë vend, dhe janë vrarë rregullisht nga dora xhahile vendase, vetiu apo e porositur. Kjo vetmi heroike është lavdia e vërtetë e Skënderbeut, por nuk është formuar ende tek ne ajo ndërgjegje (që çmon dhe ekzalton vlerat e vërteta morale) mbi të cilën pastaj të vijnë edhe uniteti i shtetit dhe zulma e kurorës mbretërore. Dhe nëse kemi diçka për tu gëzuar, është fati ynë i habitshëm (ndoshta jo pa lidhje të fshehtë mistike me flijimin e burrave që përmendëm më lart, Skënderbeu në krye) që e shpëton anijen tonë në çastin që mbytej: (1919 Konferenca e Paqes, 1999 liria e Kosovës).
Ishte pikërisht ngutja për të ruajtur plaçkën e fituar më 1919, Kosovën, që i shtyu komunistët jugosllavë të ngrinin një lëvizje të tyren në Shqipëri. Duke iu trembur me të drejtë paqes së nesërme, që do të bazohej mbi parimet e Kartës së Atlantikut, atyre u duhej patjetër t’i mbyllnin gojën shtetit-amë, Shqipërisë për të drejtat e asaj gjysme tjetër kompakte dymilionëshe. Demonstrimi është i thjeshtë. Fakti që Kosova nuk u ngrit siçështje, nuk tingëlloi asnjëherë në media pranë zonave të tjera problematike në botë, provon se marrëveshja e fshehtë Tito-Enver e arriti plotësisht qëllimin. Dhe mendja e do që ashtu si shkaku ka mbas efektin, po kështu edhe efekti kërkon shkakun që të kuptohet. Është bash lufta partizane që i vuri themelet skallavërimit të Kosovës për aq sa mbajti, duke skllavëruar vetë Shqipërinë dhe duke ndihmuar ajo vetë (ushtria partizane) trupat ndëshkimore serbe brenda Kosovës. S’ka pasur konjukturë të disfavorshme për Enverin, kur të mos e ketë ndjerë dorën e ngrohtë jugosllave (ekonomikisht dhe politikisht), por gjithmonë me takt dhe fshehtas, që të ruhej dukja “armiqësore”; dhe nuk ka pasur konjukturë të favorshme ndërkombëtare për Kosovën, që të mos i ketë vajtur i prerë urdhëri delegacionit tonë në OKB që të mos ndihet i gjallë.

Fakte që u mbuluan ose u thanë nën zë gjatë 45 vjetëve, dalin tani nga gjysmë-terri, dhe presin vetëm të lirohen nga myshqet e historiografisë zyrtare për tu shpallur zyrtarisht. Ato e lidhin me një koherencë të hekurt logjike luftën partizane me atë që rrodhi pas saj, me të vetmen shmangie aparente “prishjen” e 48-ës që transferoi aleancën Tito-Enver nga e dukshme dhe përqafësuese, në të fshehtë por gjithmonë efektive, një lojë që u erdhi përshtat të dyve, të godisnin sistematikisht këdo që kërkonte pak frymë, në daç lëvizte ai nga jashtë brenda ose nga brenda jashtë në kërkim të lirisë. Të gjithë mbylleshin në qeli, atje dhe këtu, si kosovarë të etur për Shqipëri vërtet socialiste, ashtu dhe shqiptarë që shpëtonin nga ferri enverian. Përfitonin vetëm ata që e deklaronin shkoqur se shkonin në Perëndim. Por kjo humbje e dy ortakëve u kthehej në fitim, sepse evadoheshin më gjallroshët diku larg, ku me anën e familjes peng këtu, mund të detyroheshintëpranonin kushte dhe të shërbenin (me një fjalë shkatërrim i diasporës). Por a nuk ishte edhe nëperiudhën e luftës e njëjta politikë? Një vëllazërim i plotë, i njëzëshëm i Enverit me të dërguarit e Titos? A nuk shpërthenin në ngazëllim duke u përqafuar Enveri me Miladinin, kur u vinte lajmi për vrasjen e shokëve të bezdisshëm që donin kontakte edhe me Perëndimin, pra patriotë të vërtetë e në akord me tërë Koalicionin dhe me aspiratën e popullit? A nuk jepte urdhëra Enveri për të formuar këshillat e fshatrave, që të vendoste diktaturën e tij qysh në luftë? Ushtria a nuk ia zbatonte urdhërat represive? A nuk e prishi ai Mukjen në një kohë që përhapte në popull parulla për luftë “pa dallim feje, krahine dhe ideje”? Dhe cilën rrugë ndoqi si nxënëse e bindur ushtria partizane? Atë të unitetit apo atë sektare dhe vëllavrasëse, të imponuar nga dyshja Miladin-Enver? Pyesim historianët, a janë dëshmorë apo janë tradhtarë ata komandantë që kundërshtuan dhe u vranë prapa shpine? A mund të quhet çlirimtare një ushtri që qysh natën e parë i dha drithmën popullsisë së kryeqytetit me dhjetëra pushkatime intelektualësh në zë, pra mesazhin e parë të terrorit si mjet qeverisjeje në të ardhmen? A nuk e thonë troç oficerët britanikë në shkrimet e tyre që shtabi partizan i shmangej luftës me gjermanët dhe i ruante trupat për luftën civile që të merrte pushtetin?

Kështu ushtria partizane, me gjithë luftimet që ka bërë, dhe megjithëse e zotëroi vendin më 1945 (për efekt të tërheqjes së ushtrisë gjermane) nuk mund të quhet kurrsesi çlirimtare. Kishte nënshtruar me terror Jugun dhe vazhdoi ta pushtonte Veriun edhe mbas 45-ës me zjarr e hekur.

Si përfundim mund te themi se intervali i përgjakshëm komunist prej disa dekadash, me të gjitha të zezat që i solli Shqipërisë, filloi ditën që dy emisarë jugosllavë organizuan lëvizjen partizane, vunë në krye të saj njeriun që do tu shërbente, dhe së bashku me të zhdukën gjithë komunistët patriotë që besuan në një luftë çlirimtare. Ata të tre e shndërruan atë ushtri me anë të mashtrimit dhe frikës në mjet për të kapur pushtetin. Kësisoj edhe terrori i pandërprerë i 45 vjetëve, edhe lidhja një pas një me klikat më të egra të Lindjes, edhe izolimi i gjatë edhe rrëgjimi i popullit në një masë skllevërish, i ndajshkruhen detyrimisht asaj lufte që i nisi dhe i kreu me ashpërsinë më të madhe të gjitha këto. Çdo përpjekje për ta ndarë luftën si gjoja pozitive, nga periudha e mbasluftës, që paska prurë praktikat diktatoriale, tregon mjerimin moral të atyre që i shërbyen diktaturës për dobësi karakteri ose trashësi mendore, dhe që nuk zbërthehen dot sot me një rrëfim të sinqertë për lajthitjen e tyre 50-vjeçare.

Gjaku i pafajshëm i derdhur, dhe sëpari ai i partizanëve që ranë për vendin dhe vazhdojnë të njollosen si tradhtarë, kërkon të dalë në dritë evërteta e tyre dhe e vërteta e vrasësve të tyre.

Burimi Marre nga “Gazeta Shekulli”

Popularity: 6% [?]

Nje Koment »

  • Ardi thote:

    Ky qe e paska shkruajtur kete artikullin e ditka historine per gjysem dhe ekstremisht me ngjyrime politike.
    Artikuj qe tregojne paqartesi dhe analiza naive nuk duhen publikuar se nuk kane asnje vlere publicistike.

    Lufta Partizane sherbeu per tre gjera:
    Percaktoi nje here mire te ardhmen e Shqiperise si fuqi ushtarake ballkanike per 40 vjetet që do të vinin.
    E ktheu në argument të padiskutueshëm ndryshimin e kufije të shtetit Shqiptar.
    E futi shqipërinë (aq shumë të kompromentuar me Italinë Fashiste dhe Gjermaninë Naziste) në Aleancën Antifashiste.

    Sa për çështje të “perëndimit”, “demokracisë” dhe të “atdheut”, mos të nxirren konkluziono kot pa e njohur e pa e analizuar mirë në këndvështrim ndërkombëtar historinë e popullit shqiptar.

    Dhe së fundmi. Çlidhje ka Skënderbeu me Luftën Partizane? Ky s’shtë artikull, ky është llogje kafeneje.

Shprehni opinionin tuaj!

Mund te ndiqni komentimet duke u abonuar KETU me ane te lexuesve te RSS.

Jini te sjellshem. Pa ofendime. Qendroni ne teme. Pa reklama.

Per te shfaqur imazhin tuaj me komentet duhet te regjistroheni tek Gravatar.com duke klikuar KETU.