Aktualitet

Lajme dhe Informacione te perditshme mbi Aktualitetin Shqiptar dhe ate Boteror.

Ekonomi

Raporte, publikime, dhe analiza mbi ekonomin dhe arritjet e fundit.

Politike

Permbledhjet e ngjarjeve te fundit politike.

Rajoni dhe Bota

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga rajoni dhe bota.

Sporti

Ngjarjet sportive nga Shqiperia dhe nga mbare bota.

Fillimi » Kultura

Tirana e xhamive

Publikuar nga ChocolatE_DiamonD me Friday, 3 July 2009Pa Koment
Tirana e xhamive

Tek “Xhamitë e Tiranës”, Roald Hysa ndërton historinë e 28 xhamive që kanë ekzistuar në kohë të ndryshme në kryeqytet. Ato që janë zhdukur, që janë transformuar dhe më të rejat e ndërtuara pas viteve ’90-të. Botohen për herë të parë foto të viteve 1910-1940

“Xhamitë e Tiranës” është një botim dygjuhësh, në të cilin Roald A. Hysa, jep një histori të xhamive të qytetit të Tiranës, të atyre që janë zhdukur, atyre që u kanë rezistuar kohëve dhe me të rejat, të ndërtuara pas viteve ’90-të.

Në analizë janë marrë këto objekte të kultit islam që ndodhen vetëm brenda qytetit, ose më saktë, kryeqytetit: 28 gjithsej.

Ato më të mëdhatë prezantohen me një histori më të zgjeruar e më interesante se ato të ndërtuara rishtazi.

Ky botim është vlerësuar së fundi nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, si një nga botimet më të mira në fushën e shkencës dhe të kulturës islame. Një vit para tij, ishte Aleksandër Meksi që mori një vlerësim të këtij lloji për studimin, “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë”, në shekujt XV-XIX.

Në ndryshim nga Meksi, Hysa nuk ndalet në një aspekt të caktuar të objekteve të kultit. Ai jep më shumë një tablo të plotë, sa të historisë së ndërtimit, aq edhe të rolit të tyre social e mirëfilli religjioz.

Kur krijon pasaportën e një xhamie, Hysa përfshin në të datën e ndërtimit, familjet të cilat i kanë pasur nën mbrojtje, llojin e tyre, (xhami mëhalle, xhami me kupolë etj.), shndërrimin në objekte me funksion social gjatë periudhës së regjimit komunist, njerëzit që i kanë drejtuar ato, si dhe një përshkrim të detajuar të hapësirave brenda tyre, të artit të ornamentikës etj.

“Xhamitë e Tiranës” ka të veçantë pajisjen me fotografi të hershme dhe të sotme të objekteve, një pjesë e të cilave botohen për herë të parë, falë mbështetjes që autori ka pasur nga arkivat private të familjeve Resmja dhe Mullahi.

Tirana është një qytet i ri, i formuar nga shqiptarë që në këtë periudhë, (rreth 1614, kur daton edhe ndërtimi i xhamisë së parë, asaj të Sulejman Pashës) janë tashmë myslimanë. Kështu, ndërtesat dhe faltoret e tyre do të merreshin hua nga bota islame, e Perandorisë Osmane.

Por që, sipas autorit, “ndërtesat u ndërtuan nga shqiptarët, duke iu përshtatur kushteve shqiptare. “Xhamitë në Gjirokastër nuk mund të bëheshin veçse me rrasa guri”, – thotë ai, duke shpjeguar se ndërtuesit shqiptarë kanë përdorur ato materiale që ekzistonin në Shqipëri.

Një pjesë e shenjave të fëmijërisë së qytetit kanë mbërritur edhe sot, duke e luhatur disi siluetën e Tiranës ndërmjet një qyteti vërtet Perëndimor, por pak i epuar për nga Lindja.

Në librin e tij, Roal A. Hysa ka lënë jashtë teqetë, sepse nuk i përkasin besimit sunit, ndërsa lokalizon me saktësi vendndodhjen e xhamive. Kështu, pjesa më e madhe ndodhen në qendër të lagjeve, aty ku banorët kishin mundësi të mblidheshin, të luteshin, apo, në ditë të caktuara, të merrnin me qira ambientet e jashtme të xhamive, për t’i shndërruar në pazar.

Madje, disa syresh nuk njihen më me emrin e tyre, por me emrin e pazarit, siç është për shembull “Xhamia e pazarit të ri”, ku sot pak kush mund ta dijë që quhet Xhamia e Kokonozit. Ajo, së bashku me Xhaminë e Tabakëve, janë dy më të vjetrat në qytetin e Tiranës, të cilat vazhdojnë të jenë funksionale.

Autori ndërton hartën e tyre sipas një rendi kronologjik të ndërtimit të tyre. Kështu kryexhamia që, edhe pse nuk “rron”, është në rrëfimet e tiranasve, është xhamia e Sulejman Pashës, që ndodhej aty ku sot është monumenti i “Partizanit të panjohur”.

E ndërtuar në vitin 1614, ajo në fakt nuk ishte vetëm një xhami, por një kompleks i ndërtuar nga Sulejman Pashë Bargjini. “Kompleksi” përfshinte furra, hamam dhe han. Fatkeqësisht, nuk i mbijetoi dot Luftës së Dytë Botërore. “U dëmtua rëndë gjatë tërheqjes së ushtrisë gjermane nga Tirana dhe në vitin 1950 u shkatërruan edhe ato pak gjurmë që kishin mbetur”,- thotë Hysa.

Pothuajse të njëjtin fat pati edhe Xhamia e Karrapicit, e ndërtuar në shekullin e 18-të, e cila ia la vendin Muzeut Historik Kombëtar, më 1930-ën.

Në linjën e Xhamive më të mëdha dhe të rëndësishme gjendet edhe Xhamia e Et’hem Beut, e cila fillimisht njihej si Xhamia e Vjetër. Është një nga Xhamitë, që Hysa i ka kushtuar më shumë vëmendje.

Në disa faqe ai shpjegon me hollësi historinë e ndërtimit të saj, duke nisur që në vitin 1789 me Molla Beun, vazhdimin nga Et’hem Beu, dhe në vitin 1823 ishte Haxhi Et’hem Beu që mbylli gjithçka, me ndërtimin e Kullës së Sahatit.

Kjo xhami është ndër të paktat që nuk u shkatërruan gjatë regjimit komunist me statusin e “monumentit të kulturës”, që në fakt nuk ishte shpallur qartë si i vizitueshëm. Kjo gjendje ankthi e “Et’hem Beut”, zgjati për 23 vjet, që prej 1967-ës, koha e revolucionit kulturor dhe luftës kundër fesë dhe zakoneve prapanike.

Emri i gjatë i asaj që sot njihet si Xhamia e Tabakëve, në të vërtetë, sipas Hysës, është Xhamia e Sherif Mëhallës së Tabakëve.

Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por ai shkruan se është ndërtuar në shekullin e 18-të, nga një prej esnafeve më në zë të Tiranës së asaj kohe, Esnafi i Tabakëve. Më pas, më 1922-shin, ndërtesa dëmtohet nga një rrufe dhe riparohet me ndihmën e familjes tiranase, Resmja, e cila edhe sot vazhdon të kujdeset për të.

Autori ka futur në këtë botim edhe një kopje të dokumentit të qeverisë, që më 18 shkurt të 1967-ës urdhëron: “Të gjithë klerikët myslimanë të mbyllin faltoret dhe tyrbet dhe t’i vënë në dispozicion të popullit…”. Sipas Hysës Xhamia e Tabakëve është e fundit që mbylli dyert për besimtarët në dhjetor të 1967-ës.

Pas këtij viti, ashtu si edhe objektet e tjera fetare, u shndërrua në një objekt me funksion social. U vu në shërbim të bandës frymore të qytetit të Tiranës dhe për këtë u bënë ndryshime në strukturën e saj.

U shtua dhe një kat dhe, për pasojë, u shkatërrua kupola dhe minarja. Vetëm në vitin 1993, ndërtesa do t’i kthehej komunitetit mysliman, i cili do ta riparonte dhe do t’i jepte pamjen që ka sot.

Vetëm në fillim të viteve ’90-të, komuniteti mysliman rimerr xhamitë, dhe nis procesin e restaurimit. Por, ardhja e demokracisë në vend solli edhe shtimin e popullsisë së Tiranës, dhe komuniteti mysliman, duke ndjekur modelin e hershëm të paraardhësve, sipas të cilit “çdo mëhallë duhet të ketë xhami”, filloi të ndërtojë xhami të reja, sipas lagjeve të cilat po merrnin formë.

Ndër këto të rejat mund të përmenden Xhamia e Medresesë, e përfunduar në qershor të 2001-shit, Xhamia e Xhurës (1996), Xhamia e Çullhajve (1993), Xhamia në Bllokun Al-Mak (1998) dhe Xhamia Manallari (2007).

“Terminator”-i vjen në Tiranë

Sot, në orën 10:00, në Kinema “Millenium”, fillojnë projektimet e filmit “Terminator Salvation”, të regjisorit McG. Dita e Gjykimit e ka shndërruar botën në një gërmadhë, ndërsa makinat Terminator po bëhen më të fuqishme se njerëzit.

Por, këta të fundit kanë një forcë që nuk matet me njësi. John Connor vihet në krye të rezistencës njerëzore, kundër makinave. Aksionin e pjesës së katërt McG, ia ka besuar aktorit Christian Bale, përkrah të cilit interpretojnë, Sam Worthington, Moon Bloodgood dhe Helen Bonham Carter.

Miqësi e shtirur në “Marubi”

Cikli i filmave spanjollë në kinemanë “Marubi”, prezanton në orën 19:00, “Në qytet” (En la ciudad), të regjisorit Cesc Gay. Në 110 minuta, Gay tregon historinë e 13 njerëzve që e konsiderojnë njëri-tjetrin miq. Por, pas fasadës së miqësisë fshihen shumë sekrete. Interpretojnë Monica Lopez, Eduard Fernandez, Maria Pujalte, Alex Brendemuhl, Vicenta N’Dongo etj. Filmi është në gjuhën spanjolle dhe shoqërohet me titra në anglisht. (shekulli)

Popularity: 1% [?]

Shprehni opinionin tuaj!

Mund te ndiqni komentimet duke u abonuar KETU me ane te lexuesve te RSS.

Jini te sjellshem. Pa ofendime. Qendroni ne teme. Pa reklama.

Per te shfaqur imazhin tuaj me komentet duhet te regjistroheni tek Gravatar.com duke klikuar KETU.