Aktualitet

Lajme dhe Informacione te perditshme mbi Aktualitetin Shqiptar dhe ate Boteror.

Ekonomi

Raporte, publikime, dhe analiza mbi ekonomin dhe arritjet e fundit.

Politike

Permbledhjet e ngjarjeve te fundit politike.

Rajoni dhe Bota

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga rajoni dhe bota.

Sporti

Ngjarjet sportive nga Shqiperia dhe nga mbare bota.

Fillimi » Flash

Zgjidhja e krizës, Topi bisedon me Withers, Lohan dhe Montobio

Publikuar nga PUPA me Monday, 8 February 2010Pa Koment
Zgjidhja e krizës, Topi bisedon me Withers, Lohan dhe Montobio

UPDATE- “Tryeze dialogu nen moderimin e kreut te shtetit, nen frymen e rezolutes se KiE, per te normalizuar situaten politike ne vend”. Ky ka qene thelbi i bisedes qe presidenti Bamir Topi zhvilloi sot paradite me ambasadoret e SHBA, KE dhe BE ne vendin tone.

“Këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të Kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve të Bashkimit Evropian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri”- thuhet ne faqen zyrtare te Presidentit.

Sipas deklarates, theksohet se “gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e Presidentit Topi, në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar”.

Ne oren 11.45 mberriten ne Presidence ambasadori ambasadori spanjoll, Emanuel Montobio, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës të BE-së dhe ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan.

Pas dy ambasadoreve, Lohan e Montobio, ne Presidence ka mberritur edhe ambasadori i SHBA-se ne vendin tone, Withers. Teme e takimit te perbashket eshte padyshim organizimi i tryezes se dialogut mes mazhorances e opozites, si mundesi per zgjidhjen e krizes politike qe po kalon vendi.

*****

TIRANË – Nderkohe qe asnje pale nuk ka levizuar nga e saja, opozita e vendosur per kutite dhe mazhoranca e bindur se kjo eshte antikushtetuese, dita e sotme pritet te jete dite negociatash te presidenti Topi.

Ende nuk ka asgje te bere publike rreth takimeve te mundshme, por thuhet se mund të ketë të dërguar të Topit në PD e PS, por nuk përjashtohet që të mandatuarit nga Rama e Berisha të bisedojnë mes tyre për pikat e mundshme të asaj ç’ka mund të bisedohet në tryezën e thirrur nga kreu i shtetit, Bamir Topi.

Në njoftimin për shtyp të disa diteve më parë, Presidenti i Republikës, njoftoi se po ndiqte me vëmendje zhvillimet politike në vend dhe se ishte i gatshëm që të inicionte tryezën, duke filluar kontaktet ditët në vijim.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama.

Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve, që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, – thuhej në njoftimin për shtyp të Presidencës, dy ditë më parë.

Por që prej këtij momenti nga zyra e Presidencës nuk është njoftuar asnjë lëvizje në drejtim të dy partive kryesore politike në vend.

Burime nga PS-ja deklaruan për “Shekulli”-n se janë ne pritje të negociatave, ndërkohë që nuk përjashtojnë mundësinë që lëvizjet të fillojnë nga dita e hënë e javës që vjen. Të njëjtën gjë kanë pohuar edhe burimet nga PD-ja, duke konfirmuar se deri dje në mbrëmje nuk kishte pasur asnjë lëvizje nga zyra e Presidentit.

Ky i fundit nuk do ta ketë aspak të lehtë diskutimin me dy krerët kryesore të politikës, Sali Berisha dhe Edi Rama, sa kohë që këta të fundit ndahen në çështjen themelore, pikërisht në hetimin e zgjedhjeve parlamentare. Kryetari i opozitës gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët bëri të qartë se shkonte në tryezë pikërisht me qëllimin e vetëm për të hapur kutitë e votimit, ndërsa në anën tjetër, kryeministri i vendit u kundërpërgjigj se një kërkesë e tillë nuk do të pranohej në mënyrë kategorike nga mazhoranca.

“Nuk hapen. Nuk ka njeri të lirë në botë, që të thotë të rinumërohen votat. Nuk ka. Rama thotë e njoh rezultatin, por të hapen kutitë, kjo është e pamundur. Është e pamundur që të pranojë vlerësim politik për një çështje që e kanë ndaluar gjykatat”, – u shpreh dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha.

******************

Sipas ambasadorit spanjoll, moszgjidhja në kohë e krizës ka pasoja për Shqipërinë

Montobio: Zgjidhni krizën, BE-ja s’pranon shtet dosido

TIRANË – Kur kriza politike ende nuk ka marrë zgjidhje midis palëve politike, Bashkimi Europian shton kritikat ndaj klasës politike shqiptare. BE-ja i bëri dje thirrje qeverisë dhe opozitës që të zgjidhin sa më parë krizën politike në vend, në të kundërt kostoja që do të ketë Shqipëria për t’u anëtarësuar në BE do të jetë shumë e madhe.

Gjatë paraqitjes së prioriteteve të Presidencës spanjolle të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm të këtij viti, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, deklaroi se aktorët politikë shqiptarë duhet të zgjidhin sa më shpejt ngërçin politik.

Sipas diplomatit spanjoll, kjo duhet të realizohet nga vetë politikanët shqiptarë dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, por jo që ky i fundit të shndërrohet në negociuesin kryesorë mes palëve politike. Montobio tërhoqi vëmendjen se zgjidhja e krizës politike duhet të kryhet brenda kuadrit kushtetues.

“Jemi në një situatë të brendshme në Shqipëri, që është objekt shqetësimi dhe vëmendje për Bashkimin Europian. Kemi thënë që ky nuk është një zhvillim pozitiv. Por, duhet të them se kjo është një mundësi reale për të kapërcyer situatën.

Duhet të kapërcehet në kuadrin kushtetues nga aktorët e brendshëm me mbështetjen e ndërkombëtarëve, por jo me zëvendësimin nga ndërkombëtarët. Nëse kjo nuk zgjidhet brenda një kohe të shkurtër, atëherë pasojat për perspektivën evropiane të Shqipërisë do të jenë shqetësuese”, – tha dje Montobio.

Ambasadori spanjoll ka shkuar edhe më tej duke thënë se Shqipëria nuk është e kompletuar akoma si shtet sipas konceptit të Bashkimit Europian. Sipas Montobios, BE-ja nuk mund të pranojë çfarëdo lloj shteti, por tipi i shtetit që duhet të ndjekë Shqipëria sipas tij, është ai i vendeve të tjera të komunitetit europian.

Ai theksoi se aktorët kryesorë politikë në vend duhet që të bashkëpunojnë midis tyre për të zgjidhur çështjet e brendshme, siç edhe kriza politike. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, Shqipëria do të ketë mbështetje nga Bashkimi Europian. “Ju jeni të mirëpritur në Bashkimin Europian, por për të qenë anëtar duhet të jeni një shtet. Një shtet sipas konceptit të Bashkimit Europian nuk do të thotë një shtet çfarëdo, por një tip i veçantë shteti.

Në mënyrë metaforike, duhet të keni lidhje që të prodhoni elektricitet. Nuk do të kenë jetëgjatësi nëse keni kabllo të shkurtër, mund të shkaktoni kolaps, por duhet të lidhni kabllot dhe me t’u lidhur ato, do të keni mbështetjen e Bashkimit Europian”,- u shpreh ai.

Diplomati i spanjoll shtoi se mënyra sesi po vepron politika shqiptare, duket se asaj nuk i intereson që të jetë pjesë e axhendës së Këshillit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, pasi, sipas Montobios, vendi ynë nuk po ecën në rrugën e duhur.

“Shqipërisë i intereson të jetë pjesë e axhendës së Këshillit të Bashkimit Europian, sepse do të thotë që po bëhet progres në drejtimet e kërkuara nga ky organ, por nuk i intereson të jetë pjesë e axhendës së Këshillit për Politikën e Jashtme sepse kjo do të thotë që ju nuk po ecni edhe aq mirë”, – tha më tej Montobio.

Qëndrimi i Montobios vjen pas takimit që ai zhvilloi me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, pak ditë më parë, dhe kur bisedimet midis liderëve të forcave kryesore kanë mbetur të ngrira.

**********************

Helmut Lohan: Kuvendi nuk po miraton dot ligjet prej 3/5

Lohan: Për problemet e gjyqësorit duhet vullnet politik

TIRANË – Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, theksoi dje se duhet një vullnet i të gjitha palëve politike për të kaluar problemet që ka pushteti gjyqësor.

Gjatë përurimit të godinës së Gjykatës të Krimeve të Rënda në kryeqytet, Lohan vuri në dukje se Kuvendi nuk mund të kalojë ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 3/5 dhe për këtë arsye, sipas tij, këto ligje mund të kalojnë vetëm me dialogun midis mazhorancës dhe opozitës. “Është një sfidë politike për të gjetur balancën e duhur.

Nuk është shtet ligjor i pakicës apo shumicës, shumica e ligjeve të rëndësishme duhet të kalojnë në Kuvend me dialog dhe shumicë të cilësuar votash. Shqipëria ka shansin ta bëjë një gjë të tillë në muajt në vijim. Nevojitet strategji e plotë dhe gjithëpërfshirëse bazuar në vullnetin politik për kapërcimin e problemeve të mëdha në gjyqësor”, – tha dje Lohan.

Duke folur për infrastrukturën e pushtetit gjyqësor, ambasadori i KE-së u shpreh se nuk mjafton vetëm infrastruktura në punën e këtij pushteti, por së pari nevojitet pavarësia e tij dhe shërbimi ndaj qytetarëve.

Lohan shtoi se njerëzit e drejtësisë nuk duhet të përfshijnë në punën e tyre bindjet politike dhe interesat e tyre ekonomike. “Infrastruktura e duhur gjyqësore nuk mjafton për të kapërcyer dobësitë e gjyqësorit në Shqipëri dhe për ta bërë gjyqësorin t’i shërbejë si duhet qytetarit.

Për më tepër, institucionet gjyqësore duhet të jenë të depolitizuara, të pavarura dhe të përgjegjshme, dhe individët që punojnë në sistemin gjyqësor, zbatuesit e ligjit, prokurorët, avokatët, gjykatësit, duhet të drejtohen nga ‘rendi ligjor’ pavarësisht bindjeve të tyre politike apo interesave ekonomike ose personale”, – theksoi ambasadori Lohan.

**************************

Sipas deputetit të PD-së, Edi Paloka, Rama po kërkon vetëm pushtetin

PD: Rama nuk po zbaton Rezolutën e KiE-së

TIRANË – Kur bisedimet midis palëve politike janë ende të ngrira, për zgjidhjen e krizës politike, mazhoranca ka hedhur akuza në drejtim të opozitës se kjo e fundit nuk po i përmbahet Rezolutës së Këshillit të Europës.

Gjatë një konference për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi dje se lideri i së majtës Edi Rama nuk po zbaton kërkesat e Rezolutës së miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për të zgjidhur krizën politike në vend, sipas të cilave, opozita duhet të hyjë në Parlament dhe hetimi i zgjedhjeve të Qershorit duhet të realizohet në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Paloka vuri në dukje se kryesocialisti Rama me veprimet e tij kërkon të marrë vetëm pushtetin.

Për këtë arsye, sipas Palokës, kreu i PS-së nuk shqetësohet për djegien e mandateve të deputetëve socialistëve. “Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për futjen e opozitës në Parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë, po bëhet përherë e më evidente se pushteti në tavolinë është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që mund ta kënaqë Edi Ramën.

Dhe gjithmonë në funksion të kësaj aventure absurde ai duket se e ka marrë me gjakftohtësi vendimin për djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste”, – tha dje Paloka. Deputeti i selisë blu ka hedhur më tej akuza në drejtim të opozitës, duke u marrë me të kaluarën e etërve të politikanëve të majtë.

*******************

Sipas Klosit, PS është gati për tryezën me Presidentin

PS: Kutitë e votimit nuk negociohen

TIRANË – Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi dje se opozita është e vendosur për të kryer transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit edhe nëse nuk arrihet një kompromis me kreun e mazhorancës, Sali Berisha. Sipas Klosit, PS-ja është e gatshme për t’u ulur në tryezën e bisedimeve të Presidentit Topi me shumicën në pushtet për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendi që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare.”

Të vendosur për transparencë të zgjedhjeve me ose pa Berishën. Partia Socialiste e Shqipërisë, shpreh edhe njëherë qëndrimin e saj në mbështetje të dialogut në tryezën e Presidentit për t’i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike, me të cilën po përballet sot vendi.

Partia Socialiste thekson me forcë qëndrimin e saj se zgjidhja e krizës mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë të zgjedhjeve çka thuhet shprehimisht edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”,- tha dje Klosi. Me gjithë gatishmërinë e opozitës për dialog, sipas Klosit, është vetëm Kryeministri Berisha ai që nuk po shpreh vullnetin politik për të dialoguar.

Klosi vuri në dukje, se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit është e panegociueshme. “Hapja e kutive të votimit është një element i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtyre zgjedhjeve dhe si e tillë, ajo përbën një kërkesë të panegociueshme të Partisë Socialiste.

Fatkeqësisht dje, Sali Berisha, njeriu që është shkaktari kryesor i situatës së vështirë në të cilën ndodhet sot vendi, na provoi me po të njëjtën gjuhë të politikës së vjetër se atij i mungon vullneti për zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer Shqipërinë, e cila po paralizon jetën institucionale, po rrënon ekonominë dhe shtetin e së drejtës”, – u shpreh ai.

Duke theksuar edhe një herë gatishmërinë e grupimit të tij politik, Klosi përsëriti se Partia Socialiste është e vendosur që të kryejë transparencën e zgjedhjeve të Qershorit, nëse Kryeministri nuk pranon të kryejë kompromis për këtë kërkesë. Ai shtoi se hetimin e zgjedhjeve, Berisha nuk mund ta ndalojë as me anë të dëshirës as me anë të pushtetit.
/shekulli/

Popularity: 1% [?]

Shprehni opinionin tuaj!

Mund te ndiqni komentimet duke u abonuar KETU me ane te lexuesve te RSS.

Jini te sjellshem. Pa ofendime. Qendroni ne teme. Pa reklama.

Per te shfaqur imazhin tuaj me komentet duhet te regjistroheni tek Gravatar.com duke klikuar KETU.