Aneta Rama: Ju rrëfej jetën e Edit
Nëna e kryetarit të Partisë Socialiste në një rrëfim të pazakontë për jetën para viteve 90′; vdekjen e Kristaq Ramës dhe akuzat ndaj tij; rrahjen e dy djemve, Edit dhe Olsit në 1997-ën; sëmundjen e Gregorit dhe padinë ndaj Sali Berishës
Ju keni qenë një natyrë e tërhequr dhe keni lënë burrat e familjes të jenë njerëz publik. Ishte zgjidhja juaj?
Natyrisht që është zgjidhja ime pasi Kristaqi, bashkëshorti im ishte skulptor dhe kishte studiuar për skulpturë monumentale. Atëherë ishte shumë e nevojshme të kishte monumente në Shqipëri dhe këto siç dihet ishin me afate të caktuara. Ditët e punës ishin të zgjatura, ndodhte shpesh që të punonte ditën dhe natën. Unë jetoja me dy prindërit e Kristaqit, të cilët ishin të moshuar, dy djemtë, kështu që të merresha me familjen kërkonte një angazhim shumë të madh nga unë.
Vitet e fundit ju kanë vendosur në qendër të një lufte të vërtetë politike. E ndjeni veten të irrituar, të trishtuar, të mërzitur apo indiferente?
Unë si grua e si nënë e si mjeke e qytetare ndihem keq. Shpesh ndodh që të jem e trishtuar dhe arsyet nuk mungojnë. Unë jetoj midis njerëzish, dëgjoj, shoh, ndihem keq kur dëgjoj se njerëzit nuk përballojnë dot gjendjen ekonomike dhe marrin vendime ekstreme siç ishte rasti i kohëve të fundit që babai dogji veten me benzinë. Ndihem e trishtuar kur fëmijët braktisin shkollën sepse nuk përballojnë ekonomikisht problemet e familjes dhe i jepen punës. Për shembull, në Gërdec u vranë disa fëmijë. Si mjeke kam pasur një rast të kohëve të fundit që më ka trishtuar pa mas. Një miku im mbeti në afërsi të shtëpisë në makinë me një rast shumë urgjent mjekësor. Lajmërova urgjencë, e cila nga shtëpia ime është 300 metra por u deshën 45 minuta që të vinin. Mos flas pastaj për detaje nga vendi ku kishte mbetur miku im deri në urgjencën e spitalit. Ajo që më trishtoi më shumë ishte se nga urgjenca deri në katin e 4 duhet të ngrinin barelën familjarët sepse ashensori nuk punonte. Këto janë gjëra që të trishtojnë.
Çfarë statusi ka pasur familja Rama para 1992-shit?
Ne kemi jetuar në një pallat të kohës të komunizmit tek unaza e Tiranës, aty ku unë jetoj edhe sot. Dy dhoma e një kuzhine e një paradhomë. Kristali skulptor, unë mjeke dhe fëmijët në shkollë e të angazhuar me sport. Kristaqi ka studiuar në San Petërsburg ndërsa unë në Poloni. Kam qenë studente e mirë, për dy vjet kam qenë studentja më e mirë e vitit. Më ka pëlqyer profesioni por u detyrova që ta lë pak mënjanë, domethënë nuk bëra karrierë në profesionin tim për arsye shëndetësore dhe familjare.
Vjen viti 1992, ndërrohet sistemi, bashkëshorti juaj ndërron jetë. Si ka qenë për ju që të jetoni e vetme?
Dua ta filloj pak përpara. Në 1997-tën kam kaluar një periudhë shumë të vështirë. Filloi me rrahjen e Edit, më 22 janar, dhe që pasoi me rrahjen e Olsit në tre mars të këtij viti. Sigurisht janë momente që nuk harrohen për një nënë por ishin momente që tronditën të madh e të vogël në atë kohë. Unë nuk do e harroj që shtëpia jonë ishte e mbushur ditë të tëra me njerëz. Fqinjët thoshin tundeshin shkallët, aq shumë njerëz kanë ardhur. Dhe mbas kësaj fëmijët e mi u detyruan që të ikin sepse u pa që ishte shumë e largët koha për të thënë vërtet atë që mendon, domethënë atë demokraci që kemi kërkuar dhe të që të thoshe atë që mendoje vërtet e drejtë. Kështu që, Olsi u largua në Amerikë ndërsa Edi zgjati qëndrimin e tij në Francë. Në korrik të po atij viti ndahet nga jeta mama e shtëpisë, ajo e përjetoi shumë rëndë nuk e përballoi dot rrahjen e fëmijës. Tetë muaj e gjysmë pas kësaj ndahet nga jeta Kristaqi. Një vdekje e papritur dhe e parakohshme. Një vdekje që mua, si i thonë, më ra qielli mbi kokë, më prishi jetën por ama më shtoi edhe një krenari që në përcjelljen e tij kanë marrë pjesë njerëz pa dallime partish. Kanë ardhur shumë miq tanë, të persekutuar që Kristaq Rama i kishte gjithmonë dyert e hapura për ta dhe që unë vazhdoj t’i kem miq akoma. Kështu që, jeta u bë e vështirë, Edi ishte në Francë, Olsi nuk mund të vinte sepse nuk kishte dokumente. Erdhi Edi dhe siç e dinë, të nesërmen vendosi të qëndrojë. Iu dha posti i ministrit të Kulturës. Këtu fillon e gjithë kthesa. Kthesa e jetës për të, për djalin e tij, për Matildën, ish-gruan e tij. Po sigurisht edhe për mua si nënë.
Ju përmendët miqtë dhe unë e di që ju keni qenë një familje me plot miq e me miqësi dhe me shoqëri të pafundme. Ju thatë që miqtë janë aty. Kam një kureshtje, ka miq që për arsye rrethanore e konjukturale nuk janë më aty?
Është e vërtetë. Miqtë tanë janë ata që kanë qenë dhe ne vazhdojmë të komunikojmë, t’i gjendemi njëri – tjetrit në raste të ndryshme. Po ka edhe nga ata, dhe këtu dua të përmend dy veta, Artur Zhejin dhe Fatos Lubonja. Unë i kam pasur si fëmijët e mi dhe për arsye të pozicionimit të Edit politikisht, ata nuk i shoh më prej vitesh që të më vijnë. Megjithatë, unë i ndjek në televizor dhe me shpirtgjerësinë e një nëne, me kurajë i dëgjoj dhe kur thonë të pavërteta per Edin. Kjo më dhemb.
Ju jeni e ndjeshme si nënë për fatin jetësor e politik të Edi Ramës. Me çfarë syri e ndiqni? Sa realiste mund të jeni ju? Zemra e nënës është zemra e nënës, por si e ndjeni problematikën ekzistencës së tij në politikë? Çfarë mendoni ju për të si politikan?
Është e vërtetë ajo që thatë ju që nëna është gjithmonë nënë. Por, unë në edukimin e fëmijëve kam qenë nëna që i kam parë edhe me sytë e zemrës edhe me sytë e mendjes fëmijët e mi. Domethënë i kam kritikuar, i kam drejtuar për çdo gjë që nuk më ka pëlqyer tek ata. Edi është shumë punëtor, është njeri shumë i vendosur është njeri që nuk e lë punën përgjysmë. Është një njeri që nëse është i bindur që ka të drejtë e shpie atë deri në fund.
Është njeri që kërkon falje, është njeri që të toleron është njeri që të mirëkupton?
Shiko. Unë tani si nënë flas se ai në raport me mua është në një raport të mrekullueshëm. Është ai raport që ka qenë gjithmonë. Ai është i rregullt, është shumë i dhimbsur. Unë kam pasur mjaft probleme shëndetësore gjatë gjithë kohës, ai preokupohet shumë, kujdeset shumë për çdo gjë si për mua, si për djalin. Por po flasim tani në raport me mua. Vjen i pëlqen si të gjithë atyre që janë jashtë shtëpie të hajë nga dora e nënës një drekë ose një darkë. Sidomos i pëlqen kur nëna i gatuan peshkun. Sigurisht levrekun e kemi pak si gjellën tonë. Por mendoj se të gjitha ato që thashë janë pjesë të karakterit të tij që i ka edhe një çikë në trashëgimi.
Shpesh njeriu nuk i arratiset dot ADN-së?
ADN-së nuk i arratiset dot askurrkush. Por nuk më duket që këto janë gjëra që nuk duhet t’i ketë një njeri në fund të fundit. Sa për atë a kërkon falje, a është tolerant, kjo varet sipas rastit.
Kur ju më thatë që bashkëshorti juaj i ndjerë ishte një skulptor, ishte një artist, në përcjelljen e tij kanë marrë pjesë nga të gjitha anët politike. Mirëpo unë vërej dy gjëra të paktën në retorikën politike, e quajnë Edvin Kristaq Rama, si specialist i Marrëdhënieve Publike, do t’i këshilloja njerëzit që kjo është nën nivelin mestar të popullsisë. Një tjetër më duket shumë e fortë, Kristaq Rama konsiderohet si një bllokmen. Tani na thoni që të njohim edhe ne ca bllokmenë dhe ca që njihnim janë ata që janë. Si e keni përballuar zonja Rama këtë përcaktim?
Kur kam dëgjuar “Edvin Kristaq Rama” dhe që përmendet vazhdimisht, mendoj se nuk është gjë tjetër veçse Edi Ramën ta bëj krenar për të atin. Kushdo që e ka njohur Kristaqin nuk do të thoshte gjë tjetër, do të thoshte “mor djalë të jesh krenar për babin që ke pasur.” Për sa i përket etiketimit si bllokmen, ua thashë edhe më parë, ne kemi banuar në Unazë të Tiranës, në një apartament të vogël dhe dilnim natën të dy bashkë në radhën e qumështit, bile komshinjtë e mi, sa herë më takojnë më thonë që; “Aman se harrojmë dot Kristaq Ramën, aty në breg të Lanës që bënte shëtitje derisa të vinte makina e qumështit”. Kështu që ka punuar ditë e natë në studio me orë të zgjatura, ishte pasioni i tij, ishte artist në fund të fundit. Në qoftë se thonë bllokmen sepse ai ka qenë deputet. Ai ka qenë deputet si shumë të tjerë dhe deputetët atëherë nuk kishin absolutisht asnjë privilegj. Ka qenë anëtar partie si qindra e mijëra të tjerë në Shqipëri, që kishin një ideal sepse do të bëhej ndryshe, e për një jetë më të mirë dhe që në fakt nuk doli ashtu. E kanë akuzuar për shumë gjëra që unë nuk dua t’i përmend. Kanë thënë kryepersekutori, ka thënë që ka dënuar, ka bërë. Këto nuk janë aspak të vërteta. Këto janë vetëm shpifje dhe abuzojnë. I hedhin helm përditë këtij populli me thënë të drejtën. Është e dhimbshme për mua. Deputetët atëherë nuk kishin asnjë pushtet. Deputetët zgjidheshin në sajë të kontributeve të tyre dhe Kristaq Rama ishte skulptor i popullit, ishte katër herë laureat i çmimit të Republikës. Nganjëherë më vjen për të qeshur, por nganjëherë edhe revoltohem.
Rikthehem përsëri tek ju, unë nuk ju kisha parë në jetë nga afër ndonjëherë dhe unë konstatoj që ju jeni një grua e bukur, e qartë edhe natyrisht me të gjitha elementët e tjera, si e fortë. Jeni ju një natyrë pasionante për jetën, e jetoni jetën tuaj tani me bijtë, me nipërit, me mbesat, e jetoni me të njëjtin sens protagonizmi të përjetshëm apo ka një tërheqje të lehtë?
Jo, unë në fakt përpiqem që t’u gjendem shumë fëmijëve, me aq sa mundem, dhe shpeshherë kam vajtur në Amerikë tek Olsi për t’iu gjendur për vajzën që në behar nuk mund ta linin vetëm. Kam kaluar një periudhë shumë të vështirë, me djalin e Edit, Gregorin. Ai pati një problem goxha serioz. Ishte një sëmundje e rëndë e siç njihet e pa kurueshme. Por fati i madh, në sajë të mjekësisë, e të përkushtimit tim në radhë të parë që kam ndenjur tek koka, të gjithë neve, familjarëve, miqve që kishim dhe që gjetëm atje, domethënë që u bënë miq me ne. Këtu përfitoj nga rasti të falënderoj publikisht Anila Imamin që na ofroi për disa muaj shtëpinë dhe doktor Florian Koçin që unë e njoha atje, një njeri që sikur e hodhi zoti në atë spital që ishte një spital njësh në Amerikë për këto sëmundje dhe ai punonte aty dhe që më është gjendur në 24 në 24 orë aty. Domethënë nuk janë të mjaftueshme falënderimet për këta njerëz. Tani unë si nënë dhe si gjyshe vërtet që jetoj për fëmijët dhe përpiqem të bëj maksimumin me aq sa mundem dhe aq sa do të më lejojë shëndeti.
Në gjithë këtë veprimtari të përditshme, në raport me gjithë atmosferën e ndjeshme keni bërë një gjest krejt të paprecedentë që nuk ekziston ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, që keni bërë një padi në gjykatë kundër atyre që mendoni se ju kanë sulmuar apo ofenduar për interesa politike. A nuk mendoni se ky është një gjest në Shqipëri relativisht i pavend, funksionimi i gjykatave, njerëzve ndaj të cilëve bëhet padia jo domosdoshmërish mendohet që mund t’ju konkludojë. Është një gjest serioz apo është një gjest për të dhënë një mesazh?
Jo ky është një insistim dhe një vendim i imi personal kësaj radhe. Unë Adi kam 20 vjet që dëgjoj, sharje, fyerje, shpifje, akuza dhe i kam përballuar me durim dhe dinjitet. Por kur këto shpifje dhe akuza e kalojnë cakun e politikës dhe prekin dinjitetin e familjes, duhet vepruar mendova. Prandaj e mora këtë vendim sepse jo vetëm si nënë, si grua, por si qytetare mendoj për të gjetur të drejtën mund t’i drejtohesh vetëm gjykatës dhe gjykata t’i japë të drejtën atij që e ka edhe unë po pres.
(SHEKULLI)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!