Gafa e Palin? është sajuar në internet
E famshmja “New York Times” ka zbuluar rastësisht “gënjeshtrën e madhe” Quhet Martin Eisenstadt dhe punon për vrojtuesin “Harding Institute for Freedom and Democracy”. Ai është “këshilltari” i John McCain-it dhe u ka transmetuar mediave disa prej informacioneve më pikante të fushatës elektorale për Shtëpinë e Bardhë. Falë këtij informacioni, “Fox News” ka treguar ekskluzivisht gafën se si Sarah Palin e injoronte faktin që Afrika ishte kontinent dhe se mendonte që ishte një komb. Eisenstadt i paraqiste këto blog-e në faqen e tij të internetit “eisenstadtgroup.com”, motoja e së cilës ishte “Liria është falas”. Në këtë faqe pasqyroheshin edhe informacionet e anekdotat e sikletshme mbi fushatën elektorale të kandidatit republikan.
Në fakt, Martin Eisenstadt nuk ka ekzistuar kurrë. Blog-u i tij ishte një maskë. “Harding Institute for Freedom and Democracy” ekzistonte vetëm si sajt interneti dhe “të drejtat” që i kanë kaluar shtypit dhe televizionit janë një shaka e madhe e sajuar nga Eitan Gorlin e Dan Mirvish, dy persona të pasionuar pas kinemasë me maninë e politikës. Një herë kur u zbuluan, u justifikuan duke shpjeguar se ishin regjisorë filmash dhe se vënia në skenë shërbente për të pasur një shtysë që të realizonin një serial televiziv mbi zgjedhjet presidenciale.
Gjithsesi, shpjegimi nuk i bindi të gjithë, por është e padiskutueshme që dorëshkrimi i satirës politike, ideuar nga piratët me iniciativë, pati sukses. Ato që ranë në kurth ishin disa media të tjera prestigjioze si “Msnbc”, që si sot një javë më parë e konfirmoi atë që kishte thënë “Fox News” mbi Sarah Palin, duke zbuluar kështu edhe emrin e burimit (Eisenstadt) nga ku kishte dalë informacioni. “Fatkeqësisht nuk janë bërë verifikime. Lajmi nuk duhej të jepej drejtpërsëdrejti”, justifikohet zëdhënësi Jeremy Gaines. Por mes “robërve” janë edhe media të kategorisë së parë si “Los Angeles Times”, “New Republic” dhe disa dhjetëra të tjera mes sajteve dhe blog-eve të internetit.
“Gënjeshtra e madhe”, siç është cilësuar nga “New York Times”, e ka zanafillën rreth një vit më parë, kur Gorlin, 39 vjeç, nën regjinë e shokut Mirvish, 40 vjeç, u hoq si një republikan i hekurt, ndërkohë që në bordin e makinës së tij i drejtohej Rudy Giuliani-t (Rudi Xhuljanit) me lavdërime komprometuese.
Filmimet patën një sukses të jashtëzakonshëm në internet dhe kur ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut doli nga zgjedhjet, Gorlin u shndërrua në Martin Eisenstadt. “Kemi zgjedhur këtë emër, sepse të gjithë këshilltarët neokonservatorë të administratës Bush kanë një emër të krishterë dhe një mbiemër hebraik”, thonë të dy. Që nga ai moment, Eisenstadt “u bë” një strateg i McCain dhe “blog”-u i tij pusi i mediave të Shën Patricios. Dy piratët e historisë politike krijuan edhe sajtin fantazmë të vrojtuesit politik. Gjithashtu realizuan edhe një video në “YouTube”, në të cilën shfaqet “këshilltari” i McCain.
Që nga ai moment, shakatë i ndjekin kudo republikanët. Pasi kandidati republikan e krahasoi Obama-n me Paris Hilton, këta të fundit e bënë të besojë “Los Angeles Times” se familjarët e trashëgimtares së pasur, të tërbuar nga krahasimi, e mbytën me telefonata protestuese selinë e përgjithshme të McCain-it. Tabloidi e përhapi lajmin menjëherë në faqen e internetit. Ashtu si “Fox”, edhe “New Republic” ra në kurthin e ngjashëm “Palin-Africa”. Në qershor, sajtet e internetit zbuluan qëllimin e stafit të McCain-it për të krijuar një kazino të madhe në zonën jeshile të Bagdadit, e sjellë në blog-un e Eisenstadt, duke nxitur protestat e autoriteteve irakiane. Ndërkohë që në “YouTube” përfunduan disa copëza të një dokumentari të rremë (që nuk ishte xhiruar kurrë më parë) nga BBC-ja mbi këshilltarin republikan.
Ai që verifikoi vërtetësinë e lajmeve është sourcewatch.org, sajti që kontrollon mbi burimet e internetit. Bashkëpunëtor i Gorlin dhe Mirvish ishte edhe William Wolfrum. “Këmbëngulja mund t‘u mësojë diçka mediave amerikane, komentojnë dy piratët e satirës. Por kush na siguron që Wolfrum është një personazh i vërtetë dhe nuk është pjesë e shakasë”?
Burimi Marre nga “Gazeta Shqip”
Popularity: 4% [?]




Shprehni opinionin tuaj!