Aktualitet

Lajme dhe Informacione te perditshme mbi Aktualitetin Shqiptar dhe ate Boteror.

Ekonomi

Raporte, publikime, dhe analiza mbi ekonomin dhe arritjet e fundit.

Politike

Permbledhjet e ngjarjeve te fundit politike.

Rajoni dhe Bota

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga rajoni dhe bota.

Sporti

Ngjarjet sportive nga Shqiperia dhe nga mbare bota.

Fillimi » Politike

Berisha: Rezultati i PD-së, i dobët, do zgjerojmë koalicionin

Publikuar nga ChocolatE_DiamonD me Friday, 3 July 2009Pa Koment
Berisha: Rezultati i PD-së, i dobët, do zgjerojmë koalicionin

Berisha, aspak i qetë në deklaratën e tij, i ka kërkuar kryetarit të opozitës, Edi Rama, që të ruajë gjakftohtësinë .TIRANË – Kryeministri Sali Berisha ka pranuar për herë të parë dje, në konferencë për shtyp, se rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk ishte ai që priste Partia Demokratike.

Duke mos siguruar as numrin minimal të votave për krijimin e qeverisë së re, kreu i ekzekutivit i ka kthyer sytë nga koalicionet e majta për të siguruar numrin e mjaftueshëm, edhe pse para zgjedhjeve, Kryeministri mohoi çdo koalicion të gjerë.

“Unë do të pranoj rezultatin që do të nxjerrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk kam dhënë vetë asnjë rezultat deri tani, por të dhënat flasin qartazi.

Kështu që, kjo mazhorancë aktuale i ka të gjitha numrat, edhe me vullnetin e shprehur edhe nga deputeti Prifti, siç e keni dëgjuar publikisht, të cilin po e kërcënojnë, në mënyrat më të turpshme.

Natyrisht, nuk kam fituar aq sa do të doja dhe kam ndërmend të eci drejt koalicioneve. Pohova se do të zgjeroj koalicionin, sepse këto janë rregullat. Ky është rregulli i demokracisë, ne jemi një vend demokratik, do të negociojmë koalicionin.

Ka vullnet pozitiv për koalicionin dhe ne jemi në frymën e kompromisit që kjo kërkon”,- tha ai. I pyetur konkretisht nga përfaqësues të medias mbi koalicionet e mundshme, Berisha u shpreh se përpos vullneteve personale, PD-ja synon koalicion me forca politike.

“Kërkohet koalicion i gjerë, kur koalicionet e tjera nuk japin dot qeveri. Ndërsa vendi ka koalicione të tjera, të cilat mund të japin qeveri dhe fare stabël”,- shtoi ai.

Me zgjerimin e koalicionit, Kryeministri Berisha do të tentojë të blejë çdo deputet, mjafton që të sigurohet numri i mjaftueshëm për krijimin e qeverisë së re, pasi deri dje mbrëmë, numrat e deputetëve mes koalicionit të majtë dhe të djathtë flasin për barazim 70 me 70.

Në këto kushte, në rast se do të ruhet një rezultat i tillë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, një mundësi kjo që është përjashtuar në mënyrë kategorike nga Kryeministri Berisha.

“Sovrani votoi, sovrani diktoi koalicionin! Çfarë do të bëjmë ne? Do të themi se, për inat të sovranit do të shkojmë në zgjedhje? Jo, absolutisht, do të respektojmë këtë që na dha, dhe t’i themi faleminderit shumë dhe të vazhdojmë më tutje”, – tha ai.

Duke sulmuar përçart edhe njerëz të biznesit, Kryeministri Berisha, aspak i qetë në deklaratat e tij, i ka kërkuar në fakt liderit të opozitës, që të ruajë gjakftohtësinë, teksa i referohej situatës në Fier. “E ftoj zotin Rama të ruajë gjakftohtësinë, ishte një akt i shëmtuar, jashtëzakonisht i shëmtuar.

U nis apo nuk u nis për në Fier, nuk e di, sepse mediat qenë kontradiktore, por që të krijonte skena të atilla për vendin, vetëm për të diktuar një rezultat me dajak, gjë e turpshme, shumë e turpshme”,- tha ai.

Berisha shtoi se, “Edi Rama përmes emisarëve të tij më komunikoi se ai kishte vendosur të mos njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe se kishte vendosur të nxirrte popullin në protesta. Përgjigja ime ishte se ky është një vend i lirë dhe se qytetarët mundet lirisht të protestojnë.

Eshtë një standard i demokracisë shqiptare, i konsoliduar, por natyrisht rezultat zgjedhjesh me protesta nuk mund të ndryshojë. Për koincidencë pikërisht emisarë, të cilët u dërguan për të komunikuar vendimin e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe që kërcënuan se do të organizonin protestat më të fuqishme popullore që ka njohur vendi, rastisi të jenë biznesmenë në Tiranë dhe në Fier dhe ky është Koço Kokëdhima.

Nuk mund të them se pashë ndokund Koçon në mes të protestuesve në Fier, por ajo që ishte e sigurt, aty ishte dërguar policia bashkiake e Ramës në Tiranë dhe disa punëtorë mjeranë të Koço Kokëdhimës, të udhëhequr nga Gramoz Ruci”. Kreu i ekzekutivit harroi etikën, teksa sulmoi ashpër edhe deputetin e PS-së, Andis Harasani. “Çdo votë, zoti Rama mund të shkojë ta kontrollojë nga KQZ-ja.

Mund të çojë të gjithë Bashkinë e Tiranës të numërojë votat në KQZ, po të dojë çdo votë. Filmohen votat, por u filmua edhe Harasani, i cili i vërsulej si kafshë një njeriu në orën 3 të natës me karrige, për t’i thyer kokën”,- tha Berisha, duke iu referuar një incidenti mes Harasanit dhe një komisioneri të PD-së në Rrogozhinë. (shekulli)

Popularity: 1% [?]

Shprehni opinionin tuaj!

Mund te ndiqni komentimet duke u abonuar KETU me ane te lexuesve te RSS.

Jini te sjellshem. Pa ofendime. Qendroni ne teme. Pa reklama.

Per te shfaqur imazhin tuaj me komentet duhet te regjistroheni tek Gravatar.com duke klikuar KETU.