Raporti i vëzhguesve, ja shkeljet e procesit zgjedhor
Raporti i Misionit të Vëzhguesve i ka kushtuar një kapitull të veçantë përdorimit të administratës në funksion të zgjedhjeve. TIRANË- Raporti paraprak i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve përmban një sërë problemesh të evidentuara gjatë gjithë procesit zgjedhor deri dje në mesditë.
Kritikat, që ajo adreson lidhen me çdo detaj të procesit, që nga përgatitja e atmosferës parazgjedhore, kohën e fushatës zyrtare elektorale, ditën e votimit, procesin e transportimit të kutive dhe fillimi i procesit të numërimit të votave në çdo qendër të KZAZ-së.
Por, ajo që raporti evidenton jo pak është presioni i ushtruar ndaj punonjësve të sektorit publik dhe studentëve që të merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, apo që të shmangnin aktivitetet e opozitës, të cilat rezultuan të vërteta.
Gjithashtu, thuhet se, qeveria, në mënyrë të përsëritur përdori aktivitetet zyrtare dhe burimet administrative për fushatë partiake, veprime të cilat bien ndesh me Kodin Zgjedhor dhe Dokumentin e OSBE-së, Kopenhagen 1991, i cili flet për një ndarje të qartë mes partive politike dhe shtetit.
“Inaugurimet e projekteve infrastrukturore të bëra nga Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PD-së, kanë qenë shumë të shpeshta gjatë periudhës parazgjedhore, edhe në ditët shumë pranë ditës së zgjedhjeve.
Në to merrnin pjesë turma të mëdha njerëzish që valëvisnin flamujt e PD-së, vendoseshin materiale zgjedhore dhe mbaheshin fjalime me karakter të qartë zgjedhor”,- thuhet në raportin e Misionit të Vëzhguesve.
Po sipas raportit, pretendime ka pasur në lidhje me abuzimin që PD-ja ka bërë me burimet administrative si makinat dhe ndërtesat zyrtare, si dhe përfshirjen e punonjësve të sektorit publik për qëllime fushate, çka është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Në raport, krahas të tjerave, merret si rast edhe vizita e Kryetares së Kuvendit në Elbasan, Jozefina Topalli, ftesat e së cilës, për takimin e zhvilluar me gratë më datën 12 qershor, u shpërndanë nga punonjësit e zyrës së Postës se Elbasanit.
Procesi i votimit
Gjatë vëzhgimit në çdo qendër votimi, ndërkombëtarët kanë konstatuar mangësi dhe shkelje procedurale. Në shumë qendra ka pasur mangësi të materialeve zgjedhore, si bojë matrikuluese apo regjistrimi i numrave të serisë në kutitë e votimit, nuk korrespondonte me procesverbalin e depozituar.
Ndërkohë, janë vërejtur edhe shkelje procedurale të natyrës së votimit familjar, votimi në emër të personave të tjerë, përpjekje për të ndikuar tek votuesit, raste ku i njëjti person “ndihmon” më shumë se një votues, presion mbi zyrtarë të zgjedhjeve dhe zgjedhës, firma që dukeshin identike në listat e zgjedhësve, lista emërore të paplota. Rastet më të shumta të shkeljeve me natyrë procedurale ishin ato të vënies së shenjës në gisht personave që votojnë, në mënyrë që të shmanget votimi i shumëfishtë i një personi.
Gjithashtu, zgjedhësit nuk kontrolloheshin nëse kanë shenjë në gisht apo jo, raportohet në vlerësimet paraprake të Misionit Ndërkombëtar Vëzhgues të Zgjedhjeve. Sipas raportit, në disa qendra votimi shihej tension, i shkaktuar ndonjëherë nga aktivistë partiakë. Vëzhguesit e Misionit raportuan gjithashtu edhe raste të zhvillimit të fushatave në qendrat e votimit ose në afërsi të tyre.
Vëzhguesit e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve konstatuan fillimin e vonuar të procedurave të votimit, si dhe materialet e paplota zgjedhore, duke përfshire raste, ku mungonte boja matrikuluese, ose ku kutitë e bojës për vulosjen e fletëve të votimit ishin tharë.
Sa i përket marrjes në dorëzim të materialit zgjedhor në vendet e numërimit të votave, u përshkrua si përgjithësisht pozitive, megjithëse numri i KQV-ve që prisnin të procesoheshin nga disa vende te numërimit të votave, shkaktoi grumbullime të mëdha të tyre.
Kartat e identitetit
Raporti citon edhe problemet me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Sipas raportit, parregullsitë e vërejtura në këtë proces kishin të bënin me anën teknike si, nisja me vonesë e shpërndarjes së kartave të identitetit, mungesa e kapaciteteve administrative, mungesa e ambienteve të nevojshme, ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe internetit, defektet e ndërrimet të pajisjeve brenda orarit të punës dhe të metat e tjera teknike, kontribuuan në nxitjen e polemikave të ndryshme dhe lënien 81.000 votuesve pa i tërhequr mjetet e tyre deri në ditën e zgjedhjeve.
Gratë
Gratë në vendimmarrjen parlamentare janë në nivel shumë të ulët, theksohet në raport, nga 140 deputetë që ka Parlamenti Shqiptar, vetëm 7% ose 10 prej tyre janë femra. Me gjithë përpjekjen për ta ndryshuar këtë raport femra-meshkuj, përsëri Kodi Zgjedhor nuk ka arritur t’i japë gruas një vend të merituar në listat e kandidatëve, pasi Kodi Zgjedhor përkufizon që 30% e kandidatëve duhet të jenë femra, ose një nga tre kandidatët e parë në listë të jenë nga të dyja gjinitë.
Por shumë parti politike kanë plotësuar kushtin e 30%-shit dhe kanë lënë pas dore vënien e femrave ne krye të listës, duke i renditur ato nga fundi, kështu ato janë në rregull me ligjin, por nuk u japin mundësinë femrave të bëhen pjesë e Kuvendit. (Shekulli)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!