Takimi, Thaçi mbështet vizionin e Ramës
Në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Kryeministri i Kosovës takon liderin e opozitës, Edi Rama
TIRANË- Turi elektoral i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në veri të vendit, ka kaluar kufirin formal shtetëror të Kosovës dhe është ndalur në Prizren. Nuk bëhet fjalë për ndonjë miting zgjedhor, por për një takim, që kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në përvjetorin Lidhjes së Prizrenit.
Takimi ka shërbyer për shkëmbimin e ideve mes dy krerëve të partive të të njëjtit spektër, për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Megjithëse nuk ka dashur të ndërhyjë në fushatën elektorale që po zhvillohet në Shqipëri, Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, nuk i është shmangur dot vlerësimit të tij për kreun socialist, Edi Rama. Në një prononcim për mediat, pas këtij takimi, ai ka lënë të kuptohet se garën elektorale do ta fitojë e majta, e kryesuar nga Rama.
“Unë kam bashkëpunuar me të gjithë lidershipin në Tiranë. Falënderoj të gjithë për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Kosovës. Unë çmoj vizionet e reja, veprimet e reja, angazhimet e reja, angazhimet për të ardhmen, prandaj ky është një komunikim edhe ndërshtetëror, është komunikim edhe i vizionit për ndryshim.
Unë do të komunikoj me të gjithë, ndërsa në Shqipëri vendos vetë populli shqiptar kush do jetë Kryeministër, kush do të fitojë zgjedhjet. Me siguri do të fitojë vizioni për të ardhmen, vizioni për Shqipërinë evropiane”, – tha Thaçi.
Ndërkohë, kreu socialist nuk ka preferuar të flasë për fushatën e nxehtë elektorale që po zhvillohet në Shqipëri, por në fjalën e vet i është përmbajtur çështjes kombëtare, duke theksuar se pas dhjetë vjetësh, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë, por jo duke u bashkuar në një shtet, por duke u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. “Ishte kënaqësi që u takuam në një moment, që është një ditë e shënuar për historinë tonë të përbashkët.
Jam shumë i shtytur së brendshmi, të përsëris, se në rast se dhjetë vjet më parë ishim në pikën e një kthese historike, që shënoi fillimin e fundit të skllavërisë së Kosovës dhe hapjen e rrugës së lirisë, pas dhjetë vjetësh do të jemi në të njëjtin qiell, në të njëjtin flamur, në Bashkimin Evropian”, – tha Rama.(Shekulli)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!