Zgjedhjet, partitë probleme me përbërjen e KZAZ-ve
Probleme edhe me KQV-të. PD, PS, PR dhe PSD, nuk kanë zbatuar ligjin për anëtarë KQV-je
TIRANË- Procesi zgjedhor në Shqipëri është vënë sërish në rrezik. Kjo jo vetëm për shkak të problematikës me mjetet e identifikimit, për të cilat opozita ka pretendimet e saj, por edhe për shkak të disa vështirësive që janë evidentuar nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në drejtim të krijimit dhe funksionimit të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë.
Partitë politike, që në bazë të ligjit u ka lindur e drejta për të pasur anëtarë në komisionet e qendrave të votimit, kur ka kaluar çdo afat ligjor, nuk kanë paraqitur propozimet e tyre në më shumë se gjysmën e zonave të administrimit zgjedhor.
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka lexuar dje para anëtarëve të tjerë të këtij komisioni dhe përfaqësuesve të forcave politike në të, një material përmbledhës që administrata kishte përgatitur lidhur me ecurinë e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore në bazë.
Kështu, ai ka bërë të ditur se PD-ja, PS-ja, PR-ja dhe PSD-ja, nuk kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë paraqitur propozimet e tyre për anëtarë KQV-je. “Aktualisht jemi shumë vonë, pasi kemi kaluar afatin ligjor dhe nga partitë politike nuk është respektuar ligji në këtë pjesë.
Është shqetësim shumë i madh, sepse jo vetëm që duhet të bëhet gati procesi, por edhe duhen trajnuar komisionerët. Situata është e njëjtë për të gjitha forcat politike pa përjashtim. Janë në shkelje të ligjit të gjitha forcat politike sa i përket ngritjes së KQV-ve”, – tha Ristani.
Ndërkohë, shkelje janë evidentuar nga KQZ-ja edhe në drejtim të KZAZ-ve, për të cilat administrata kishte paraqitur një listë, ku përfaqësuesit socialistë nuk ishin paraqitur, ose ku PS-ja nuk kishte respektuar ligjin për kuotat e femrave.
Por, sipas përfaqësuesit socialist në këtë komision, Genci Gjonçaj, fajin për mosplotësimin e KZAZ-ve e ka vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili, sipas tij, i ka mohuar PS-së të drejtën për të bërë zëvendësimet e anëtarëve të këtyre komisioneve, në rastet e dorëheqjeve apo mosparaqitjes në detyrë.
“Për problematikën e KZAZ-ve pengesë është bërë vetë KQZ-ja, pasi nuk na lejon të bëjmë plotësimin e anëtarëve të këtyre komisioneve, pa plotësuar më parë kuotën e femrave”, – tha Gjonçaj.
Kundër tij është pozicionuar edhe përfaqësuesi demokrat, Niazi Kosovrasti, i cili i ka kërkuar KQZ-së që, në rast se PS-ja, brenda një afati, nuk plotëson ndërrimet e saj ligjore ndaj KZAZ-ve, atëherë t’u jepet e drejta forcave të tjera të majta që t’i bëjnë ato propozimet për plotësimin e vendeve vakante.(Shekulli)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!