Izraeli nuk ndalon sulmet mbi Gazën
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, thotë se Hamasi ka pësuar një goditje të fuqishme gjatë luftimeve në Gazë dhe do të vazhdojë derisa Izraeli të përmbushë objektivat.Ai po fliste në kohën që një delegacion i nivelit të lartë të BE-së po zhvillonte bisedime me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak dhe ministren e Jashtme izraelite, Tzipi Livni, në përpjekje për të lehtësuar krizën.
Në Gazë nënkryeatari i zyrës politike të Hamasit, Musa Abu-Marzuq, tha se inciativa duhet të procedohej në bazë të ndaljes së operacioneve ushtarake të Izraelit dhe bllokadës në Rripin e Gazës.
“Ne duam që agresioni dhe rrethimi të ndalë dhe të hapen pikëkalimet në mënyrë që njerëzit të mos jenë më të ekspozuar ndaj kësaj vdekjeje të ngadaltë.”
“Këto janë dy pika, mbi të cilat duhet të mbështet çdo veprim politik apo diplomatik që ka lidhje me Gazën,” tha zëdhënësi i Hamasit.
Rritet numri i viktimave
Viktima në Gazë
Agjencitë thonë se luftimet po sjellin edhe krizën e urisë
Njoftimet nga Rripi i Gazës bënë të ditur se numri i viktimave vazhdon të rritet në spitalet e tejmbushura të territorit, teksa Izraeli vazhdon operacionin ushtarak për të dhjetën ditë.
Ministria palestineze e Shëndetit tha se të paktën 90 vetë janë vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën nga toka ditën e shtunë.
Rreth 20 fëmijë dhe katër punonjës të ambulancës janë në mesin e të vrarëve.
Minstria tha se shumica e viktimave ishin civilë që ishin strehuar në shtëpitë e tyre.
Ata përfshijnë edhe një familje me shtatë anëtarë, shtëpia e të cilëve ishte goditur nga një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Beach.
Burimet izraelite thonë se rreth 4000 trupa këmbësorie janë brenda Gazës dhe ato janë të mbështetura nga tanke.
Izraeli ka ndaluar hyrjen e të huajve në Gazë, por një redaktor rajonal i BBC-së thotë se trupat izraelite e kanë ndarë territorin në dy pjesë dhe kanë marrë kontrollin e rrugës kryesore që kalon në Rripin e Gazës.
Situatë e rëndë
Një zëdhënës i Agjencisë së OKB-së për ndihmën, UNRWA thotë se kishte nevojë urgjente për më shumë ushqime dhe se furnizimet mjaftonin vetëm për 48 orë.
Burime palestineze thanë se mungesa e gazit dhe elektricitetit do të thotë se prodhohet më pak bukë.
Izraeli thotë se ka lejuar një autokolonë humanitare prej 80 kamionësh që të kalojnë përmes kufirit jugor të Gazës.
Burimet palestineze mjeksore thonë se numri i personave të vrarë që prej fushatës ushtarake është mbi 500 vetë.
Ndërsa në Izrael, janë vrarë pesë vetë, katër prej të cilëve nga një raketë palestineze.
Diplomaci intensive
Militantë të Hamasit
Hamasi kërkon ndaljen e sulmeve dhe bllokadës mbi Gazën
Një delegacion i nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian zhvilloi bisedime me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, në përpjekje për të zgjidhur krizën në Gazë.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, që ishte i pranishëm në takimin në Sharm el-Sheikh, tha se shpresonte që të arrihej shpejt një armëpushim.
Nje delegacion i BE-së zhvilloi bisedime edhe me ministren e jashtme izraelite Tzipi Livni.
Lideri i misionit të BE-së, ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, tha se BE-ja kërkonte një armëpushim sa më shpejt të ishte e mundur.
Presidenti francez, Nicholas Sarkozy, shkon edhe ai në rajon një mision tjetër.
Egjipti ka luajtur një rol kyç në marrëveshjet e mëparshme mes Izraelit dhe Hamasit, por një korrespondent diplomatik i BBC-së thotë se takimet më të fundit nuk kanë shumë gjasa të sjellin rezultate të shpejta.
Popularity: 12% [?]




Shprehni opinionin tuaj!