Aktualitet

Lajme dhe Informacione te perditshme mbi Aktualitetin Shqiptar dhe ate Boteror.

Ekonomi

Raporte, publikime, dhe analiza mbi ekonomin dhe arritjet e fundit.

Politike

Permbledhjet e ngjarjeve te fundit politike.

Rajoni dhe Bota

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga rajoni dhe bota.

Sporti

Ngjarjet sportive nga Shqiperia dhe nga mbare bota.

Fillimi » Rajoni dhe Bota

Zemërim në botën arabe: Lufta në Rripin e Gazës thellon hendekun mes qeverive në vendet arabe dhe popullit

Publikuar nga H2O me Monday, 5 January 2009Pa Koment
Zemërim në botën arabe: Lufta në Rripin e Gazës thellon hendekun mes qeverive në vendet arabe dhe popullit

Lufta në Gaza ka një efekt anësor në shumë shtete arabe: ajo nxit hendekun gjithnjë e më të madh midis qeveritarëve dhe popullit. Një krizë legjitimimi është e pashmangshme.Asnjë ditë nuk kalon pa manifestime solidariteti në vendet arabe. Pamjet e rënda nga Rripi i Gazës nxjerrin në rrugë dhjetëra- mijëra vetë. Qeveritarët arabë e vështrojnë gjendjen me një paqetësi në rritje. Gjithnjë e më qartë protesta drejtohet jo më kundër Izraelit dhe SHBA, por brenda vendit: “Në Gaza nuk ka medikamente, nuk ka energji elektrike, nuk ka për të ngrënë, fëmijët vdesin – por shtetet arabe nuk ndihmojnë dhe pjesa tjetër e botës gjithsesi jo.”

Zhënjim i popullatës në vendet arabe

Jo të gjithë i konsiderojnë punë të mençur raketat e Hamasve: dhe ka njerëz që nuk u intereson shumë feja politike islame, por përballë sulmeve që konsiderohen mizore në Rripin e Gazës, populli në vendet arabe bashkohet, islamistët dhe komunistët demonstrojnë së bashku. Ai që i bashkon është zemërimi “për ata atje lart”, për qeveritë, që vazhdojnë të punojnë si zakonisht “business as usual”.

Amr Hamzavi nga Fondacioni Carnegie në Bejrut: “Shumica kthejnë kokën mënjanë- këto janë qeveritë që konsiderohen “të moderuara” – Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, disa shtete në Gjirin Persik. Ato janë të interesuara që pushteti politik i Hamasve në Gaza të paktën të dobësohet, njëkohësisht si forca goditëse ushtarake e tyre, e cila edhe para sulmeve izraelite ishte tepër e vogël. Mungesa e interesit e këtyre udhëheqësve arabë është shumë e qartë, dhe prandaj qytetarët arabë, populli është kaq i zhgënjyer për atë që bëjnë qeveritarët.”

Qeveritë arabe properëndimore “të moderuara” i konsiderojnë lëvizje si Hamasët ose Hizbollatë një sfidë të drejtpërdrejtë, si kërcënim të statuskuosë. Shpesh këto qeveri varen nga ndihmat ushtarake dhe ekonomike të SHBA. Në mënyrë demokratike asnjëra prej tyre nuk është zgjedhur. Prandaj ato kanë një problem legjitimimi. Atë që shkroi pak kohë më parë një gazetar kuvajtjan, e mendojnë shumë vetë: “Holokausti në Gaza tregon fytyrën e shëmtuar të disa qeverive arabe, të cilat kanë humbur edhe pjesën më të fundit të dinjitetit.”

Dëshira për më shumë angazhim të vendeve arabe në Lindjen e Mesme

Askush nuk kërkon që Izraelit t’i shpallet luftë, thotë Abdul Beri Atvani i gazetës “Al Kuds al Arabi”, por po të donin arabët, do të kishin në duar karta të mira që mund t’i luanin për të arritur ndryshimin e politikës amerikane dhe evropiane në Lindjen e Mesme: “Për shembull, bashkësia ndërkombëtare është angazhuar në dy luftëra, që nuk mund t’i fitojë: në Irak dhe në Afganistan. SHBA dhe Evropa kanë nevojë për ndihmë arabe, për të dalë nga situata. Pastaj është kriza ekonomike dhe financiare – disa shtete arabe janë të vetmet që kanë para, për të ndihmuar Perëndimin. Pastaj bashkëpunimi në fushën e sigurisë me Perëndimin, në luftë kundër terrorit. Arabët mund të paralajmëronin: ne nuk do të bashkëpunojmë më me ju, në një kohë që njerëzit tanë masakrohen.”

Një gjë megjithatë është e qartë: sa më shumë ta vazhdojë Izraeli ofensivën e tij ushtarake, aq më i vështirë bëhet pozicioni i atyre në botën arabe, që e shohin veten si miq të Perëndimit.

Popularity: 11% [?]

Shprehni opinionin tuaj!

Mund te ndiqni komentimet duke u abonuar KETU me ane te lexuesve te RSS.

Jini te sjellshem. Pa ofendime. Qendroni ne teme. Pa reklama.

Per te shfaqur imazhin tuaj me komentet duhet te regjistroheni tek Gravatar.com duke klikuar KETU.