Aktualitet

Lajme dhe Informacione te perditshme mbi Aktualitetin Shqiptar dhe ate Boteror.

Ekonomi

Raporte, publikime, dhe analiza mbi ekonomin dhe arritjet e fundit.

Politike

Permbledhjet e ngjarjeve te fundit politike.

Rajoni dhe Bota

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga rajoni dhe bota.

Sporti

Ngjarjet sportive nga Shqiperia dhe nga mbare bota.

Fillimi » Kronika

Shi bie ne Tiranë…, 30 makina në ujë

Publikuar nga ChocolatE_DiamonD me Thursday, 2 July 2009Pa Koment
Shi bie ne Tiranë…, 30 makina në ujë

Dëme të mëdha materiale në kryeqytet. Era e fortë dhe reshjet e dendura të shiut përmbytën banesa dhe thyen pemë. Njëzet minuta shi i rrëmbyer, i shoqëruar me erë të fortë, mjaftuan ditën e djeshme, për të fundosur në ujë një pjesë të mirë të kryeqytetit. Reshjet e dendura të shiut filluan në mesditë dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Dëmi më i madh i shkaktuar u konstatua në parkingun privat pranë “Këndit të Lodrave”, në Bulevardin “Bajram Curri”. Ngritja e ujërave mbi nivelin e kolektorit, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të përroit të Lanës, bëri që në pak minuta, parkingu ku ndodheshin të parkuara rreth 30 makina, të përmbytej, duke mos u dhënë asnjë shans drejtuesve të automjeteve të mundësonin largimin e tyre.

Niveli i ujit në parkingun e përmbytur, sipas specialistëve të ndërhyrjes së shpejtë, u konstatua të ishte mbi 2 metra. Rajmond Metalla, drejtues i një prej mjeteve të përmbytura në parking, tha për gazetën “Shekulli”, se automjeti i tij tip “Opel”, pothuajse kishte dalë jashtë përdorimit.

Me sytë nga makina, së cilës i dukej vetëm pjesa e sipërme e kabinës, Metalla e pa si shumë të vështirë kthimin e mjetit në gjendje normale. Ai konfirmoi se nuk ndodhej në parking në çastin e përmbytjes. “Mësova për përmbytjen nga persona të tjerë dhe u ktheva menjëherë në vendin ku kisha parkuar. Makina ka kushtuar 6 milionë lekë dhe pothuajse është dëmtuar tërësisht.

Tapiceria i ka dalë jashtë përdorimit, po kështu edhe paketa elektronike dhe motori, për mos të folur më pas për llumin që ka brenda, që i ka dëmtuar filtrat.” Vetëm për riparimin e makinës drejtuesi të mjetit i duhet të shpenzojë një shifër të përafërt prej 5 milionë lekësh. “Me aq para sa duhen për të riparuar makinën, as nuk ia vlen fare të bësh një gjë të tillë, pasi aty-aty është kostoja që është blerë”, – sqaroi më tej ai.

Dëmi që mendohet se është shkaktuar në parkingun pranë “Këndit të Lodrave”, llogaritet të jetë të paktën në shifrën e 500 milionë lekëve. Në parking, në momentin e përmbytjes, krahas makinave modeste për nga vlera, ndodheshin të parkuara edhe makina luksoze, me vlerë deri në 50 mijë euro.

Drejtues të operacionit për heqjen e ujërave nga parkingu, pohuan për gazetën “Shekulli”, se do t’iu duhej të paktën 12 orë për të kthyer gjendjen në normalitet. Fati i mirë është që, në momentin e përmbytjes, në brendësi të automjeteve të parkuara, nuk ndodhej asnjë person, gjë që mundësoi edhe shmangien e dëmeve të mundshme në njerëz.

Era e fortë shkul pemët në bulevard

Dëmtime të konsiderueshme janë konstatuar dje edhe në zona të tjera të Tiranës. Era e fortë, që shoqëroi motin mesditën e djeshme, shkuli nga vendi pjesë të kurorës së pemëve në rrugët e kryeqytetit. Dëme u evidentuan fillimisht në “Parkun Rinia”, në anë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u panë thyerje të pishave, madje edhe shkulje të pemëve.

E njëjta situatë u konstatua edhe në bulevardin “Zhan D’ark”, ku për fat të mirë, rënia e pemëve, përveç dëmeve materiale, nuk është shoqëruar me dëme në njerëz. Reshjet e djeshme nuk kanë lënë pa prekur edhe shumë banesa në kryeqytet. Me kova në duar, njerëzit janë munduar të vendosin situatën në kontroll, ndërkohë që ndihma e mjeteve të specializuara ka ardhur me shumë vonesë. Të njëjtin fat kanë pasur edhe katet e nëndheshme të objekteve më të larta në kryeqytet, e njohur si “Qendra Tregtare Europiane” në Tiranë, e cila ka pësuar përmbytje si pasojë e reshjeve. (shekulli)

Popularity: 1% [?]

Shprehni opinionin tuaj!

Mund te ndiqni komentimet duke u abonuar KETU me ane te lexuesve te RSS.

Jini te sjellshem. Pa ofendime. Qendroni ne teme. Pa reklama.

Per te shfaqur imazhin tuaj me komentet duhet te regjistroheni tek Gravatar.com duke klikuar KETU.