Grabitet me armë punonjësi i lokalit të basteve
TIRANË- Grabitet në kryeqytet punonjësi i një lokali bastesh, në rrugën e Elbasanit, pranë Ambasadës Amerikane, nga persona që nuk janë identifikuar, duke iu marrë shumë të konsiderueshme parash. Sipas të dhënave, grabitja është kryer mbrëmjen e së mërkurës, në një lokal bastesh në rrugën e “Elbasanit”, kur punonjësi i saj, Xhevahir Ismailgeci, ishte i vetëm në banakun e pikës së basteve. Burimet nga policia tregojnë se autorët e grabitjes, sipas deklarimit të të dëmtuarit kanë qenë dy persona.
Ata kanë hyrë në lokal të pa maskuar, duke kërcënuar me thikë punonjësin e “basteve” Xhevahir Ismailgecin, ndërsa i kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash që besohet se janë rreth 100 mijë lekë. I dëmtuari, ka qenë brenda ambienteve të lokalit, në momentet që është sulmuar nga grabitësit ndërsa është vënë nën presionin e armës së grabitësve.
Dy personat sapo i kanë marrë shumën e lekëve punonjësit të lokalit të basteve që ndodhet afër Ambasadës Amerikane, kanë mundur të largohen përmes rrugicave të pallateve të zonës, duke parë punën e tyre qetësisht. Policia është njoftuar nga i dëmtuari, i cili ka depozituar një kallëzim pranë zyrës së hetimit të grabitjeve me armë në policinë e kryeqytetit, ku i dëmtuari ka treguar për hetuesit rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë mësohet se lidhur me grabitjen që dyshohet të jetë kryer nën kërcënimin e armës së ftohtë, janë shoqëruar disa persona, të skeduar nga policia si kontigjentë kriminalë.
Sakaq efektivë të komisariatit nr.1, kanë pohuar se pas ngjarjes, kanë krehur të gjithë zonën ku kishte ndodhur ngjarja për të zbuluar persona të dyshimtë që mund të lëviznin në zonë. Shefi i zyrës së hetimit të grabitjeve me armë, tha dje në mbrëmje për “Shekullin”, se nuk kishte dijeni për një ngjarje të tillë të ndodhur në kryeqytet, duke hedhur përgjegjësinë komisariatit nr.1.
Nga verifikimet e kryera nga policia, dyshohet se kanë qenë të paktën dy persona veshjen dhe tiparet e të cilëve policia i ka regjistruar nga i dëmtuari, punonjësi i pikës së basteve. Gjatë muajve të fundit në Tiranë, janë shënuar disa raste, të grabitjeve të ndodhura në rrugë, ndërsa policia ka goditur disa prej grupeve të të identifikuar prej saj si autorë të veprave me këtë tendencë kriminale.(shekulli)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!