Lista,685 pronarët që kompensohen
Letrat me vlerë duket se më në fund do të vlejnë për diçka. Kryeministri Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se ato do të jenë të vlefshme për t’u përdorur në procesin e legalizimeve të banesave informale.
Ai tha në fjalën e tij se qytetarët që do të legalizojnë objektet e tyre do të kenë të drejtë që të paguajnë me letra me vlerë deri në 80% të vlerës së objektit. Kryeministri tha gjithashtu se nga ky proces do të përfitojnë edhe ata qytetarë, të cilët e kanë kryer në masën 100% pagesën e legalizmit, nëse posedojnë letra me vlerë.
Sipas tij, qeveria do t’u rimburojë në masën 80 për qind, qytetarët të cilët e kanë kryer pagesën e plotë që parashikohet në ligj. “Qeveria do t’u rimbursojë 80% të vlerës që ata do të detyrohen ta paguajnë me letra me vlerë. Me këtë proces ne shkojmë drejt shlyerjes së detyrimit që kemi ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve”,- tha ai.
Nga pagesa me letra me vlerë do të përjashtohet vetëm taksa e infrastrukturës, të cilët qytetarët në proces legalizimi do të jenë të detyruar ta paguajnë me para.
Letrat me vlerë
Kryeministri Berisha e konsideroi përdorimin e letrave me vlerë si një detyrim të kësaj qeverie.
“Kam qenë President i vendit kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e letrave me vlerë për qytetarët shqiptarë, ndaj ato nuk mund të injorohen”, tha ai, duke shtuar se në këtë mënyrë, hapet për letrat me vlerë, një nga tregjet më të fuqishëm, në mos tregun më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet në legalizimin e 500 mijë objekteve.
Letrat me vlerë u hodhën në treg gjatë viteve 1995-1996, gjatë kohës që kryeministri Berisha ishte president i vendit. Këto letra nisën të shiteshin në treg me vlerë shumë të ulëta. Dy vite më parë qeveria me vendim shtyu edhe për tre vite afatin e përdorimit të tyre.
Kryeministri i kërkoi drejtuesve të Ministrisë së Financave, që së bashku me Ministrinë e Punëve Publike, të përgatisin kuadrin e nevojshëm ligjor që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë. Gjithashtu ditën e djeshme, qeveria miratoi legalizimin e rreth shtatë mijë objekte të tjera. Ndërkohë ALUIZNI ka deklaruar se ka arkëtuar rreth 2.3 miliardë lekë nga ky proces që do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve. (Shekulli)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!