PS: Aplikimi përfundon nesër, mijëra qytetarë pa karta
TIRANË- Pas deklaratës shqetësuese të Partisë Socialiste për një sërë pasaktësish në listat e zgjedhësve ka reaguar Ministria e Brendshme, duke pranuar se pjesë e tyre janë edhe shtetas mbi 100 vjeç, por këta nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët, e për pasojë nuk mund të fshihen nga regjistri Kombëtar.
PS: Mijëra qytetarë, pa karta identiteti
Mijëra qyetarë do të mbeten pa votuar për shkak se nuk jane pajisur me letërnjoftimin elektronik. Partia Socialiste denoncon sërish sot problemer me kartat. Sipas Kastriot Islamit, numri i votuesve pa pasaportë që nuk do të kenë në dorë letërnjoftimin, pra që nuk do të kenë mundësi të votojnë, do të jetë më shumë se 10 për qind.
Ai është shprehur sot edhe për listat e votuesve te mbushura me persona të vdekur gjë që është denoncuar edhe nga ‘Shekulli’ ditë më parë. “Në listat e votuesve rezulton se Shqype Hasibja, 159-vjec, nga Shkallnuri, në komunën Rrashbull të Durrësit, është prezentë për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit”, tha Islami duke shtuar se “këto janë manipulime banale që bëhen me teknologjinë moderne”.
Një shqetësim serioz për PS, janë edhe ata shtetas që kanë aplikuar por që nuk kanë marrë ende letërnjoftimin. “është i dyshimtë bashkëpunimi i qeverisë me kompaninë koncensionare Aleat. Askush nuk e kupton përse Aleat nuk publikon tek dera e zyrës së aplikimit emrat e të gjithë atyre që i ka ardhur letërnjoftimi, që të mos sorollaten”, u shpreh Islami.
“Askush nuk e kupton që nga 1936 votues pa pasaportë në komunën Poshnjë, 740 aplikantëve iu thuhet pas disa javësh, se ju është djegur aplikimi, kur procesi i aplikimeve mbaron nesër”, vijoi ai duke vënë në dyshim edhe teknologjinë e firmës që po prodhon kartat. “Si mund të flitet për një teknologji moderne të kompanisë koncesionare, kur një ditë përpara përfundimit të aplikimit mund t’i thuhet njerëzve se gishtërinjtë tuaj nuk kanë dalë, të dhënat tuaja janë zhdukur, dhe 740 votues nga një komunë, nuk janë në gjendje të votojnë për shkak të defekteve të teknologjisë moderne”, vijoi ai.
Sipas Partisë Socialiste shifrat që jep Ministria e Brendshme janë të pakuptimta dhe nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. “Nuk është e rëndësishme se paskan aplikuar rreth 1.3 milionë, kur Qeveria nuk është në gjendje, apo nuk dëshiron të japë shifrën sesa votues pa pasaportë kanë marrë në dorë letërnjoftimin dhe këtë shifër nuk e ka dhënë asnjëherë”, tha Sekretari për çështjet zgjedhore, Islami.
PS ka arritur në konkluzionin se me kartat e identitetit dhe me regjistrin civil të përqendruar kjo qeveri realizoi dështimin e fundit, pra degjeneroi edhe teknologjitë moderne.
Ministria e Brendshme: Kishte kohë për korrigjime
Gjatë një komunikimi me mediat, zëdhënësi i ministrisë ka sqaruar se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standardeve më të mira europiane.
“Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri lista paraprake e votuesve u shpall 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, duke ofruar mundësi të plota për çdo qytetar të kontrollonte dhe korrigjonte gabimet e mundshme në atë listë”- thuhet në deklaratë.
Lista përfundimtare e zgjedhësve, sipas MB, është një listë e hartuar dhe konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar, i çdo njësie të qeverisjes vendore.
“Është e vërtetë që në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100 vjeç, por për sa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet t’i fshijë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve”- thuhet më tej.
Ministria e ka quajtur të paarsyeshëm pretendimi i Partisë Socialiste për të konsideruar të vdekur çdo shtetas që ka mbushur moshën 90 vjeç.
Në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, Ministria e Brendshme sqaron, se pas datës 15 Qershor, sapo të mbyllet procesi i aplikimeve për të gjithë qytetarët pa pasaportë, do të dërgohet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe forcave politike të interesuara, lista e plotë e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, si dhe lista e plotë e të gjithë shtetasve pa pasaportë që do të mbeten pa u paraqitur për të aplikuar.
*****
Tri dite me pare raporti i dytë i misionit vëzhgues të ODIHR-it konstatoi probleme në procesin e pajisjes me karta të qytetarëve, si dhe nënvizon se ministria e Brendshme ka dorëzuar të dhëna të pasakta sa i përket numrit të shtetasve shqiptarë që nuk janë të pajisur me pasaportë.
Në raportin e dytë të ndërmjetëm për ecurinë e procesit zgjedhor, citohet se në datën 28 maj Ministria e Brendshme u ka shpërndarë Partisë Socialiste dhe organizmave të huaj të dhëna të pasakta lidhur me personat që nuk janë pajisur me pasaporta e që nuk kanë aplikuar ende për karta identiteti.
Në raport, ODIHR ka theksuar se pasaktësitë e Ministrisë së Brendshme janë vlerësuar nga Partia Socialiste si tentativa të qeverisë për të manipuluar procesin zgjedhor. Ndërkohë, që ministria nga ana e saj deklaruar se bëhej fjalë vetëm për një gabim teknik. “Më 28 maj, MPB shpërndahu për PS-në, dhe praninë e OSBE në Shqipëri dhe të OSBE/ODIHR një bazë të dhënash, të pasaktë në lidhje me qytetarët të cilët nuk posedojnë një pasaportë. Kjo çoi në një mosmarrëveshje në mes të Qeverisë dhe PS; MPB ia atribuo këtë një gabimi teknik, ndërsa PS-ja deklaroi se ishte një tentativë e qëllimshme për manipulimin e zgjedhjeve”- thuhet në raport.
Sa i përket kartave, raporti konstaton probleme në një sërë qarqesh të vendit, ndërkohë që shton se shumë qytetarë që duhet të përfitonin kompensimin për pajisjen me letërnjoftimin, nuk e kanë marrë ende atë.
Fushata, sipas raportit është përgjithësisht e qetë, ndonëse janë shënuar disa incidente të veçuara, ku janë shkëputur dhunimi i çadrës elektorale të G99-ës. Jashtë vëmendjes së raportit nuk është lënë as gjuha e ashpër e fushatës dhe akuzat e ndërsjella, ndërkohë që përmenden edhe pikat kryesore ku është përqendruar vëmendja e rivalëve kryesorë. Sipas ODIHR-it, Partia Demokratike dhe kryeministri Sali Berisha është përqendruar në arritjet e qeverisë, dhe projektet për të ardhmen, si zhvillimi i infrastrukturës, luftën kundër korrupsionit, arsimin, reformën e taksave, dhe promovime bizneseve të vogla. Ndërsa Partia Socialiste ka theksuar arritjet e kreut të saj, Edi Rama, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të zgjeruar dhe ka premtuar suksese në fusha të tilla si infrastruktura, taksat dhe mjedisi.
Ndërkombëtarët shprehen gjithashtu të shqetësuar se administrata po përdoret për fushatë politike dhe në funksion të saj, mbi punonjësit e administratës po ushtrohet presion.
Këtu janë përmendur ankesat e shumta për këtë fenomen, ndërkohë që citohet shqetësimi i PBDNJ-së se rreth 18 zyrtarë të saj për këtë qëllim janë pushuar nga puna. (Shekulli)
Popularity: 2% [?]




Shprehni opinionin tuaj!