Shqipëria, starton aventura në “Peskara 2009″
Tërhiqet përfaqësuesja e Libisë, ndryshon kalendari për kuqezinjtë e koshit
Me “Udhëtimin e Ujit” janë inauguruar dje në Peskara Lojërat XVI Mesdhetare (25 qershor deri më 5 korrik). Ceremonia, një risi e edicionit 2009, ka filluar në orën 16.00 nga “Shatërvani i 99 i Burimeve” dhe brokja e parë me ujë, e cila ka zëvendësuar pishtarin tradicional, u mbajt nga presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave, Amar Adadi. Ky udhëtim është simboli i rilindjes së zonës së Abrucos dhe ka kaluar nëpër të gjitha zonat e prekura nga tërmeti i tre muajve më parë. Ai përfundon në Peskara, aty ku sot në orën 21.00 do të zhvillohet edhe ceremonia e hapjes në stadiumin “Adriatik”. Gjithsesi, gjatë ditës së djeshme kanë filluar konkurrimet e para, me ndeshjet në katër grupet e futbollit. Shqipëria, e cila në këto lojëra regjistron pjesëmarrjen më të madhe në histori, përfaqësohet me një delegacion prej 170 personash, mes atletëve dhe trajnerëve. Në total kuqezinjtë garojnë në 17 disiplina sportive (peshëngritje, futboll, basketboll, atletikë, volejboll, mundje, gjimnastikë, çiklizëm, qitje, boks, not, xhudo, hendboll, pingpong, hipizëm, tenis dhe karate), duke barazuar rekordin e Bari 1997. Sot do të zhvillohen garat e kanotazhit, gjimnastikës, mundjes, peshëngritjes e qitjes. Ndërkohë, konkurrimi ka filluar me “probleme” për Kombëtaren e basketbollit për meshkuj, e cila pritej të zbriste sot në parket. Përfaqësuesja e Libisë është tërhequr nga Lojërat Mesdhetare, një lajm i cili është konfirmuar vetëm në sekondat e fundit. Skuadra afrikane ndodhej në grupin B, së bashku me Shqipërinë, Italinë, Malin e Zi dhe Turqinë. Kjo ka detyruar organizatorët të ndryshojnë në mënyrë urgjente kalendarin, duke shtyrë me 24 orë ndeshjet. Skuadra e drejtuar nga Roland Avrami luan më datë 28 kundër italianëve. Në dy ditët në vazhdim ata do të luajnë me Turqinë dhe Malin e Zi.
Shifra rekord
Delegacioni kuqezi, i cili regjistron pjesëmarrjen e shtatë në Lojërat Mesdhetare (deri më tani janë fituar 27 medalje), nuk është i vetmi që ka vendosur një rekord në “Peskara 2009″. Në fakt, aktiviteti në tërësi ka regjistruar disa rekorde: 23 vende pjesëmarrëse, mbi 4100 atletë që garojnë, 1276 medalje që do të fitohen, 800 mijë spektatorë që parashikohen të paraqiten në impiantet e 30 sporteve të ndryshme. Këto nuk janë shifrat e vetme mbresëlënëse, sepse përveç sportistëve të pranishëm në aktivitet janë edhe 2000 shoqërues skuadrash (trajnerë dhe drejtues federatash), 900 zyrtarët që do të ndjekin nga afër garat, 400 kronometristë, 200 mjekë dhe infermierë, 459 media të akredituara, të cilat do të ndjekin nga afër garat, 5000 vullnetarë. Përveç medaljeve për sportistët, do të shpërndahen edhe 813 medalje për shtetet pjesëmarrëse. Për këtë eveniment janë angazhuar 600 autovetura, 250 autobusë për transportin e skuadrave, 70 autoambulanca dhe 5 helikopterë. (shqip)
Popularity: 1% [?]




Shprehni opinionin tuaj!