“Biblioteka private e Hitlerit”
Në kërkim të rrënjëve të Rajhut të Tretë, mes librave të diktatorit
Nëntorin e vitit 1915, një ushtarak me gradë të ulët i Regjimentit Rezervist të Këmbësorisë Bavareze, la kazermën dhe iu drejtua Furnesë, një qytet francez aty pranë. Në vend që të bënte si gjithë ushtarët e tjerë, të shkonte në një bordello apo të dehej, shpenzoi katër marka për të blerë një libër të vogël mbi thesaret kulturore të Berlinit. Ushtaraku në fjalë ishte kthyer në objekt adhurimi për shokët e vet, pjesërisht pasi ishte fare e lehtë të grindeshe me të në rast se pranoje që lufta ishte humbur, por edhe pasi kalonte orë të tëra nëpër llogore i zhytur në leximin e gazetave e librave.
I riu kishte denoncuar Paktin e Krishtlindjeve të dhjetorit të vitit 1914, gjatë të cilit ushtarët britanikë dhe gjermanë lanë armët e u vëllazëruan për një ditë. Zakonet e këtij njeriu nuk ndryshuan kurrë. Dekada më pas do të vazhdonte të shkëputej nga miqtë për t‘u zhytur thellë në studime. Kur e dashura guxoi me pak delikatesë ta shkëpuste nga aktiviteti i parapëlqyer, u përball me një tërbim të atillë sa zbriti shkallëve krejt e skuqur në fytyrë. Jashtë dhomës së tij lexohej shënimi “Qetësi absolute”.
Ditët e fundit të jetës, kur ishte braktisur nga pjesa më e madhe e njerëzve të rrethit të afërt, të vetmet sende personale që ushtarët sovjetikë gjetën në bunkerin e Berlinit, ku qëndroi deri në fund, qenë disa duzina librash.
Adolf Hitleri mund të njihet më shumë për djegien sesa adhurimin ndaj librave, por siç vëren Timoti Rubek në librin “Biblioteka private e Hitlerit”, zotëronte më shumë se 16 mijë volume në rezidencat e Berlinit, të Munihut, si dhe të shtëpisë së pushimit në Obersalzberg. Rubek, autor i “I mbijetuari i fundit”, një studim mbi qytetin Dakau, ka kaluar nëpër duar një pjesë të mirë të librave të Hitlerit, pjesa më e madhe e të cilëve gjenden në Librarinë e Kongresit. Përmes studimit, autori është rrekur të rindërtojë hapat që formuan hartën mendore të diktatorit. Rezultati është një vepër tepër tërheqëse, edhe pse jo tërësisht bindëse.
Vërtet që Hitleri nuk i përfundoi kurrë studimet universitare, por të gjithë ata që i qëndruan afër tregojnë se bota e tij qenë librat. Siç vëren libri i Rubek, jo vetëm që Hitleri gjatë viteve njëzetë lexoi qindra libra historikë e racistë, por edhe ofroi një listë me çfarë duhej lexuar, e cila u stampua në kartat e anëtarësisë së Partisë Nacional Socialiste: “Librat që çdo nacional socialist duhet të lexojë”.
Pas puçit të dështuar të birrarisë së Munihut në vitin 1923, mori dënimin simbolik prej pesë vitesh burgim për tradhti të lartë. Në burgun e Landsbergut, ku u dërgua për të shlyer dënimin, Hitleri shkroi librin e parë “Mein Kampf”.
Sipas autorit Rubek, “mes librave të lexuar në burg, ai me më shumë ndikim në krijimin e ‘Mein Kampf‘ është ‘Tipologjia racore e gjermanëve‘, e Hans F.K. Gunter, i njohur si ‘Gunter racisti‘ për këndvështrimet radikale mbi problemet e racës”. Megjithëse Rubek nuk e përmend si fakt, Hitlerit i mbërrinin çdo javë këshilla nga Karl Haushofer, profesor i njohur për politikë në Universitetin e Munihut.
Rubek vë theksin edhe mbi rolin e botuesit nga Munihu, Julius Friedrih Lehman, për “cilësimin që i bëjnë disa si kontribuuesi më bujar në koleksionin personal të Hitlerit dhe njëherësh arkitektin e pseudoshkencës naziste të racizmit biologjik”. Rubek vazhdon: “Me librat e dhuruar nga Lehman kemi në dorë jo vetëm pjesën kryesore të koleksionit personal të Hitlerit, por njëherësh punët thelbësore që ndërtuan jo vetëm botën intelektuale të diktatorit, por edhe themelet ideologjike të Rajhut të Tretë”. Por a jemi vërtet para një fakti të tillë?
Hitleri u zu në vitin 1919 teksa ndiqte sesione propagandistike në Universitetin e Munihut dhe teksa u fliste ushtarëve mbi rrezikun bolshevik. Në shtator të po atij viti, një letre, përmes së cilës një ushtar e pyeste mbi “çështjen çifute”, Hitleri i përgjigjej se “qëllimi përfundimtar i antisemitizmit racial duhet të ishte padyshim zhdukja e gjithë çifutëve njëherësh”.
Siç ka vërejtur historiani Jan Kershau në biografinë e tij mbi Hitlerin, ky reagim tregon më së qarti se, që nga fundi i Luftës së Parë Botërore e deri ditët e fundit në bunkerin e Berlinit, Hitleri iu bashkua tërësisht ideve nacionaliste dhe të antisemitizmit.
Në fjalë të tjera, duket se qëmtimi i teksteve të shumtë, më shumë ka konfirmuar se sa ka krijuar urrejtjen e tij patologjike ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me hebrenjtë. Për më tepër, Rubek përqendrohet edhe mbi rëndësinë e qytetit ku Hitleri u brumos me idetë antisemite. Vjena e kohës kur Hitleri jetoi aty ishte e mbushur tej e tej me ide antisemite. Hitleri e adhuronte kreun e bashkisë së qytetit, antisemitin e famshëm Karl Lueger dhe iu kushtua edhe vetë shkrimit të pamfleteve kundër hebrenjve. Gjithashtu ra nën ndikimin e romanticizmit gjerman, i absorbuar në formën e operave të Vagnerit, të cilat i ushqyen vizionin se ishte i përzgjedhuri që do të ringjallte Rajhun gjerman.
Për Rubekun, thelbi i Hitlerit është “një teori e mjegullt e sajuar prej parathënieve librash të lirë e tendenciozë e kopertinash ekzoterikë”. Por padyshim që kishte edhe më shumë se kaq. Ndërsa Hitleri nuk kishte ide origjinale, nuk ishte përpirës primitiv faqesh. Përkundrazi u mbështet te nocione që gjetën jehonë të plotë në qarqet borgjeze dhe intelektuale të Gjermanisë së atëhershme. Gjenialiteti i Hitlerit fshihet te gërshetimi i kulturës nacionaliste me politikën, gjë që i dha mundësinë të ushtronte joshje të forta aestetike te bashkëkombësit e vet.
Gazeta Shqip
Popularity: 29% [?]




Shprehni opinionin tuaj!