Milan, skuadra më e fortë në botë
Adriano Galiani, rrëfehet: një klub që ka arritur të fitojë kaq shumë në rrjedhën e viteve, është thjesht perfekt .”Për këtë vit, ëndërrojmë trofe të tjerë dhe një skuadër në çatinë e botës”
Dubai është vendi që e ka zhvendosur qendrën e vëmendjes nga i akullti milanez, në një tarracë plot diell, palma dhe det të kaltër. “Emiri” Adriano Galiani qëndron në heshtje, duke parë nga afër Milanin, paksa i përgjumur këto kohët e fundit. I veshur me pantallona treçerekëshe dhe me këmishë lino, administratori i deleguar i kuqezinjve nuk i lë vetëm për asnjë çast të “përkëdhelurit” e tij, ku më i riu është padyshim Devid Bekam, imazhin e të cilit ka vendosur ta shfrytëzojë këtë vit edhe festivali i mirënjohur i këngës së lehtë italiane, “Sanremo”.
Adriano Galiani, në netët e tua pa gjumë përpara televizorit çfarë ke ëndërruar për 2009-ën?
Premisa. Më duket e gabuar të flasësh për një “vit” diellor. Në futboll viti diellor nuk ekziston dhe bilancet përfundimtare të sezoneve bëhen në fund atëherë kur ai mbaron, më 30 qershor. Lexova intervistën ku Kaka bën bilancin e 2008-ës dhe tregon shpresat e pritshmërinë e tij për 2009-ën. Sigurisht që ka gabuar në atë që ka thënë.
Po ëndrra juaj?
Kam ëndërruar që në sezonin 2008-2009 Milani të fitonte trofe të rinj për ta shtuar më shumë numrin e atyre që kemi fituar gjatë rrjedhës së viteve. Për ne ka shumë rëndësi që të jemi klubi më titullar në botë, për këtë arsye duhet të kërkojmë të fitojmë trofe të tjerë, përveç 18 të tillëve që kemi arritur të marrim deri tani. Mund të them me plot gojën dhe pa asnjë dyshim, se jemi klubi që ka fituar më shumë trofe në Evropë, duke qenë se Reali i Madridit ka arritur të fitojë vetëm 15 trofe në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, tani synojmë të fitojmë Kupën UEFA për ta çuar këtë numër në 19 dhe për t‘ia kaluar edhe Boka Juniors-it.
Ditët e qëndrimit të Milanit në Emiratet e Bashkuara Arabe do të jenë përgjithmonë të lidhura me kujtimin e Devid Bekamit. Pasi i keni njohur më mirë, çfarë mendoni për “Spice Boy”-n dhe gruan e tij, Viktorian?
Hëngra darkë me ta në prag të ndeshjes Milan-Udineze dhe qëndruam së bashku pak a shumë për tri orë. Ai është një futbollist si gjithë të tjerët, jeton për profesionin e tij, ndërsa Viktoria m‘u duk shumë e përqendruar dhe e kujdesshme ndaj bisedave ekonomike.
Në veçanti?
Për shembull, më pyeste për xhirot dhe shpenzimet e ndërmarrjeve italiane dhe nuk më ka bërë asnjë pyetje për botën e thashethemeve. Megjithatë ajo dhe bashkëshorti janë një çift shumë i lidhur.
Në 20 vjet të qëndrimit tuaj me Milanin, a ju ka ndodhur të ndesheni me një fenomen si ai i Bekamit?
Në fakt, çështjes Bekam i duhet dhënë rëndësia që i takon. Ai është një futbollist që luan në Amerikë, ku tani po bëhet një pushim i gjatë dimëror. Kërkoi dhe arriti të luante me Milanin për të mos humbur formën fizike, për t‘u thirrur sërish në kombëtare dhe për ta ndihmuar paksa klubin tonë. Na zgjodhi ne, sepse pasi luajti me Mançester Junajtid dhe Real Madridin, nuk mund të mos zgjidhte Milanin.
Nga ana praktike, çfarë do të fitonit nga ky veprim?
Padyshim është një operacion shumë pozitiv në planin e imazhit botëror, por për momentin nuk e dimë se si do të mbyllet në planin ekonomik: do të kemi fitime, apo humbje të lehta.
Po fitimet nga do të vinin?
Para së gjithash nga dy ose tre miqësore që do të zhvillohen. E para do të jetë në Gllasgou, kundër Rejxhersit, më 4 shkurt. Pjesa tjetër nga shfaqjet televizive.
Për shembull?
Thashë vetëm shfaqjet televizive.
Si “Sanremo”?
Ku i dihet… Na duhet të presim dhe të shohim për këtë…
Nuk i trembesh fenomenit “Cosmos”, d.m.th. një skuadër me emra të mëdha, por shumë pak funksionale për sa i përket futbollit të bukur?
Nuk ka asnjë rrezik për fenomenin “Cosmos”. Milani ka ndjekur gjithmonë filozofinë e presidentit Berluskoni, ajo që mund të fitosh vetëm përmes lojës së bukur. Kjo filozofi na ka bërë që të zhvillojmë 8 finale kupa kampionesh dhe na ka çuar plot gjashtë herë në Japoni për të luajtur në Botërorin e Klubeve, gjë që nuk e ka arritur asnjë klub tjetër. Tifozët duhet të falënderojnë vetëm presidentin Berluskoni që e ka marrë Milanin në vitet ‘80, pas dy rënieve në Serinë B dhe e ka bërë klubin tonë një ndër më të mirët në botë.
Megjithatë, njerëzit janë skeptikë mbi çështjen Bekam?
Është thjesht një operacion dymujor, të cilit i jepet shumë rëndësi nga pikëpamja teknike.
Ndryshojmë argument. Kaka thekson se do të qëndrojë te Milani dhe objektivat e tij do të vazhdojnë të koincidojnë me ata të klubit. Pra, objektivat e Milanit përputhen me ata të Kakasë?
Objektivat e Milanit ngelen objektivat e Milanit. Duhet të jetë Kaka ai që duhet të përputhet me to. Kjo është një shoqëri shumë ambicioze, në skuadër kemi tre lojtarë që kanë fituar “Topin e Artë” dhe për sezonin e ardhshëm kemi blerë Thiego Silvën, që sipas nesh në këtë moment është mbrojtësi më i fortë në botë i qendrës.
Por, ngelet e hapur çështja e një mbrojtësi të majtë për t‘u gjetur sa më shpejt…
Mendoj se do të qëndrojmë kështu si jemi. Për momentin në merkato nuk na intereson njeri, edhe pse do e mbajmë nën vëzhgim deri në datën 31 të këtij muaji. Shpresa jonë më e madhe është ajo e të rikuperuarit të Nestës, një tjetër mbrojtës, ndër më të mirët në botë.
Ançeloti duket se ka ndërmend të rreshtojë njëkohësisht në fushë 6 yje: Bekam, Pirlo, Sedorf, Kaka, Ronaldinjo dhe Pato. Nuk ju duket paksa e ekzagjeruar?
Sigurisht që ideja është magjepsëse, por këta 6 yje në sulm duhet të përballen me Inzagin, Borielon dhe Shevçenkon, ndërsa në mesfushë me Ambrozinin, Flaminin, Emersonin dhe Jankulovskin.
Ideja është magjepsëse, por ju a jeni i bindur se do të funksionojë?
Thashë vetëm që ideja është vërtet e mrekullueshme.
Milani është me siguri një skuadër jo e balancuar në sulm dhe meqenëse në futboll është e rëndësishme të dish të mbrohesh, kjo e juaja ngelet një ide jo shumë e mirë.
Mendoj se klubet duhen vlerësuar në bazë të rezultateve. Më vjen keq të përsëris të njëjtat gjëra, por një skuadër që ka arritur tetë finale kupa kampionesh në 19 vjet, është thjesht perfekte, ose pak më e mirë se skuadrat e tjera evropiane. Megjithatë problemi është një tjetër.
Handikapi me anglezët dhe spanjollët?
Pikërisht. Klubet italiane, që dhjetë vjet më parë fitonin më shumë se klubet angleze dhe spanjolle, tani janë në mënyrë dramatike shumë mbrapa, për shkak të kostove mjaft të larta si rezultat i problemeve fiskale. Më kujtohet se në pranverën e vitit 1990, kur Krojf donte ta çonte Van Bastenin te Barcelona, Milani arriti të bënte një ofertë shumë herë më të lartë se ajo e Barcelonës. Tani Van Bastenin nuk do të ishte e mundur ta mbanim.
Nga Evropa, le të kalojmë në Serinë A. Çfarë ka Interi më shumë
se ju?
Ç‘mund të thuash për një skuadër që nuk ka një finale kupe kampionesh që prej 36 vjetësh? Asgjë… Interi nuk ka asgjë më shumë se ne. Nuk do t‘i ndryshoja kurrë rezultatet e Interit me ato të Milanit.
Ançelotit i mungojnë edhe shumë prezenca në pankinë për të “kaluar” Nereo Rokon? Do t‘ia jepni kënaqësinë për ta arritur këtë rekord?
Ançeloti ka një kontratë deri në 2010-ën dhe Milani do ta respektojë, por unë uroj që rezultatet të na detyrojnë të ecim përpara. Megjithatë, mendoj se Karlo rekordin e Rokos mund ta kalojë brenda 2010-ës.
Vazhdon të flitet për stadiumin e ri, por deri tani nuk është bërë asgjë, pavarësisht faktit se ky është një problem që duhet zgjidhur urgjentisht. Domethënë mbeten vetëm fjalë dhe asgjë më tepër.
Për stadiumin ri na duhen mjete legjislative që nuk ekzistojnë, kështu që jam shumë pesimist për sa i përket kësaj çështjeje. Nëse kemi arritur të bëjmë 8 finale kupash, por jo stadium, një motiv duhet të jetë. Ëndrra e jetës sime është kjo: të shoh derbin Milan-Inter dhe Inter-Milan në dy stadiume të ndryshme, diçka që ishte mundur deri me fillimin e Luftës së Parë Botërore, kur Milani luante në San Siro dhe Interi në Arena, gjë që nuk është më e mundur prej 1945-ës. Mendoj se ideja e ndërtimit të një stadiumi të ri është e destinuar të mbetet vetëm një ëndërr.
Një vit i ri përkon me ide dhe qëllime pozitive? Me cilin premton të jetë më i mirë në 2009-ën Adriano Galiani?
Mendoj se do t‘i përgjigjem kësaj pyetjeje në intervistën e ardhshme.
Gazeta Shqip
Popularity: 32% [?]




Shprehni opinionin tuaj!